“Zv.kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb”, akuzon Filipçe

Lideri i opozitës së LSDM-së, Venco Filipçe, ka dalë me akuza të drejtpërdrejta ndaj zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, duke e lidhur atë me shërbimet serbe dhe me regjimin e Aleksandar Vuçiqit në Beograd, shkruan portali Vardarski.mk.

Deklarata vjen në një moment kur në opinion është hapur një skandal i madh spiunazhi i lidhur me kabinetin dhe funksionimin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Stoilkoviç, për të cilin pretendohet se ka edhe shtetësi serbe, paraqitet si mbështetës i hapur i konceptit “Bota Serbe” dhe, sipas akuzave politike, mban lidhje me struktura të afërta me Rusinë.

Filipçe ka kërkuar që rasti të hetohet deri në fund, veçanërisht nëse ka rrjedhje informacioni nga një shtet anëtar i NATO-s.

“Ky është skandal që duhet të sqarohet. Nëse ka rrjedhje informacioni nga një shtet i NATO-s, kjo është jashtëzakonisht serioze dhe duhet të ketë përgjegjësi, përfshirë edhe presidenten,” deklaroi Filipçe, përcjell Skopje1.

Ai shtoi se këto zhvillime nuk e befasojnë dhe akuzoi qeverinë për lidhje me struktura të afërta me Rusinë.

“Është një zëvendëskryeministër — Stoilkoviç — bashkëpunëtor i shërbimeve serbe, që mban kontakte me ‘Ujqërit e Natës’, të afërt me Putinin. Ai çdo ditë nxjerr informacione jashtë vendit. Kjo është pjesë e kësaj qeverisjeje,” tha ai.

Nga Qeveria akoma nuk kanë komentuar këto akuza që vijnë para një proteste në përkrahje të regjimit të Aleksandar Vuçiqit që mbahet në Kumanovë.(INA)