Viktima e katërt në aksidentin e rëndë trafiku që ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit është 20-vjeçari nga Shkupi, M.Gj.. Ky është personi i fundit identiteti i të cilit u bë i njohur, pasi më herët nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftuan se në aksident kishin humbur jetën katër persona.
Në informacionin paraprak të MPB-së u bë e ditur se kanë ndërruar jetë 51-vjeçari R.V. dhe dy 20-vjeçarët A.V. dhe P.M., ndërsa identiteti i viktimës së katërt nuk ishte bërë i ditur.
Më vonë u konfirmua se mes viktimave janë edhe baritoni dhe solisti i Operës dhe Baletit Kombëtar (OBK), Riste Velkov, si dhe djali i tij.
Aksidenti ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00 në unazën e Shkupit, në pjesën mes mbikalimit te Vizbegova dhe nyjës rrugore Mirkovc.
Sipas informacioneve, aksidenti ndodhi kur një kamion me gjysmërimorkio, i drejtuar nga 76-vjeçari B.B. nga Kosova, humbi kontrollin mbi automjetin, theu gardhin mbrojtës metalik dhe kaloi në korsinë e kundërt të autostradës, ku u përplas drejtpërdrejt me një veturë “BMW” me targa të Shkupit, të cilën e drejtonte Velkov.
Si pasojë e përplasjes, vetura dhe kabina e kamionit u përfshinë nga flakët dhe u dogjën plotësisht.
Mjeku i Ndihmës së Shpejtë vetëm konstatoi vdekjen e katër personave, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat janë dërguar për obduksion.
Nga policia njoftuan se pas aksidentit shoferi i kamionit është arrestuar dhe ndodhet në stacion policor.



