BFI përcjell grupin e fundit të haxhilerëve

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai, sot përcolli grupin e fundit të haxhilerëve drejt vendeve të shenjta për kryerjen e Haxhit, përcjell TV21. Nga BFI njoftuan se janë ndërmarrë të gjitha masat për organizimin e Haxhit të sivjetmë, ndërsa haxhilerëve u është uruar rrugë e mbarë, shëndet dhe Haxh i pranuar. Sipas njoftimit, në Haxhin e këtij viti do të marrin pjesë gjithsej 2020 besimtarë nga Maqedonia e Veriut.

“Sot, më 21.06.2026, Reisul Ulema i BFI-së së RMV-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, përcolli edhe grupin e fundit të haxhilerëve për në vendet e shenjta. Me këtë rast, ai u uroi haxhilerëve rrugë të mbarë, shëndet të plotë, vullnet të paluhatshëm, kryerje të suksesshme të obligimit të Haxhit dhe kthim shëndoshë e mirë në vendlindje me Haxh të pranuar. Njëherit, Reisul Ulema i informoi haxhinjtë se Bashkësia Fetare Islame e RMV-së ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për një organizim sa më të mirëfilltë të Haxhit, me një udhëheqësi me përvojë, në krye me Kryetarin e Haxhit, dr. Qenan ef. Ismaili, zëvendëskryetarin H. Sabahudin ef. Zendeli, anëtarin e Kryesisë Dr. Selver Xhemaili, si dhe anëtarët ekzekutivë Irslan Jakupi, Dr. Abdulkerim Iseini, përgjegjësin e financave Shaban Ramani, myftinjtë Abedin Imeri, Hamit ef. Rasimi, Samet ef. Hajdari, koordinatorët, udhëheqësit fetarë dhe ekipin mjekësor. Në fund, Reisul Ulema u dëshiroi të gjithë haxhilerëve përjetim të lartë shpirtëror në vendet e shenjta, duke theksuar se Bashkësia Fetare Islame do të jetë në përkujdesje të plotë ndaj tyre deri në kthimin në vendlindje. Me nisjen e grupit të fundit, në Haxhin e sivjetmë do të marrin pjesë gjithsej 2020 besimtarë nga vendi ynë, të gatshëm për ta kryer këtë obligim madhështor islam”, thonë nga BFI.