Kur bisedimet ShBA – Iran për të arritur një marrëveshje për përfundimin e përhershëm të luftës po shënojnë pak përparim, udhëheqësit izraelitë po presin dhe po përgatiten që t’u bashkohen sërish sulmeve të reja amerikane ndaj Republikës Islamike, raportoi televizioni “Channel 12”, përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, la të kuptohej se po i harxhohet durimi.
Trumpi tha të hënën se i kishte ndërprerë planet për sulm të ri ndaj Iranit, që ishte planifikuar për të martën, sepse vendet e Gjirit Persik e kishin bindur se arritja e një marrëveshjeje me Teheranin është e mundshme, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Megjithatë, në disa komente të reja, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha të martën se Teherani ka vetëm disa ditë kohë që të bëjë një marrëveshje.
Televizioni “Channel 12” raportoi se zyrtarët në Izrael besojnë që komentet e Trumpit një ditë më parë i kanë ngushtuar opsionet e tij, duke vlerësuar se, nëse Irani nuk dorëzon një propozim të përmirësuar në masë dramatike për përfundimin e përhershëm të luftës, gjë që e cilësojnë si pak të mundshme, presidenti amerikan në fund do të ndihet i detyruar që të veprojë ushtarakisht.
Në raportin e këtij televizioni përmenden disa zhvillime që lënë të kuptohet se Izraeli i ka shtuar përgatitjet për një sulm amerikan ndaj Iranit, duke theksuar se Izraeli me gjasë do të bashkërendohej me ShBA-në për ndonjë sulm të mundshëm.
Takimi i kabinetit të kufizuar të sigurisë të hënën mbrëma, i thirrur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, zgjati gati pesë orë, për të siguruar përgatitje të plotë për mundësinë e një sulmi amerikan, thuhet në raport.
Më tej, aty thuhet se Netanyahu e ka anuluar dhënien e dëshmisë në gjykatë për të mërkurën dhe për këtë nuk ka pasur kundërshtim nga prokurorët, ndërsa presidenti Isaac Herzog i kishte njoftuar organizatorët e një ngjarjeje në Nju-Jork se ai nuk do të marrë pjesë në të “për shkak të situatës së ndjeshme në Lindjen e Mesme”.



