VMRO: Filipçe hesht ndaj deklaratave fyese nga Bullgaria

VMRO-DPMNE ka akuzuar kreun e LSDM-së, Venko Filipçe, për heshtje ndaj deklaratës së ministres së Jashtme bullgare, Velislava Petrova Çamova, e cila i quajti maqedonasit “maqedonas të Veriut”.

Nga VMRO-DPMNE thonë se Filipçe nuk po mbron identitetin maqedonas dhe se heshtja e tij është e papranueshme.

“Venko Filipçe hesht përballë fyerjeve nga Bullgaria dhe vazhdon me politikë servile”, thuhet në reagimin e partisë.

Ata kritikuan edhe deklaratat e anëtarit të LSDM-së, Rubin Zemon, lidhur me Goce Delçevin, duke thënë se Filipçe nuk është distancuar prej tyre.

Sipas VMRO-DPMNE-së, Filipçe po lejon që të hapet rrugë për presione të reja ndaj Maqedonisë, ndërsa qytetarët presin mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë maqedonase.