Një mesazh: “Mos i trego askujt për këtë, se do ta hash edhe më keq. A më kuptove?”, “Mirë”. Një tjetër mesazh: “Nesër në 7, përsëri?”, “Po”. Kështu nxënëse të shkollës fillore “Vanço Përke” nga Shtipi, të moshës 12 deri në 14 vjeç, përmes mesazheve në Viber i caktonin rrahje një bashkëmoshatareje 12-vjeçare. E thërrisnin që ta rrihnin. Ajo e dinte çfarë e priste dhe vinte me vetëdije në takimet e caktuara – nga frika se dhuna do të bëhej edhe më e rëndë, tregojnë komunikimet në Viber në të cilat kishte qasje Kolegium.mk.
Kjo i ndodhte nxënëses së klasës së gjashtë, për të cilën avokatja Maja Ristova publikoi video nga dhuna.
“Më pas, e kërcënonin se do ta zhveshnin dhe do ta incizonin ashtu”, thotë avokatja Ristova.
Ajo ka dorëzuar nëntë kallëzime penale edhe kundër prindërve të fëmijëve që ushtronin dhunën, si dhe kundër atyre që e incizonin ose vetëm e shikonin nga afër. Gjykata fillimisht i hodhi poshtë kallëzimet kundër prindërve me arsyetimin se vepra penale nuk ndiqet sipas detyrës zyrtare. Por Prokuroria e Lartë e pranoi ankesën e avokates dhe nëna e nxënëses së klasës së gjashtë ishte thirrur pardje për të dhënë deklaratë.
Si pasojë e dhunës, nxënësja kishte lëndime në kokë, hematomë në krahun e djathtë, gërvishtje dhe lëndime të tjera, sipas raportit mjekësor.
Në shtëpi për mavijosjet kishte thënë se kishte rënë në shkollë, derisa rasti të bëhej publik.
Traumat psikike ende duhet të trajtohen.
Dhuna kishte zgjatur tre muaj, nga qershori deri në shtator të vitit 2025, në disa lokacione në Shtip – në shtegun për këmbësorë afër çerdhes “Astibo”, pranë Universitetit “Goce Dellçev” dhe në vende të tjera.
Duke mos ditur si të përballej me situatën, vajza kishte kërkuar ndihmë edhe nga ChatGPT. Në një mesazh kishte shkruar se kishte ikur nga një grup fëmijësh që donin ta rrihnin dhe kishte pyetur: “A bëra mirë që ika?”
“Siguria është më e rëndësishmja”, iu përgjigj chatboti.
Viti shkollor po përfundon, procedura ende vazhdon
Procedura për këtë rast ka nisur para nëntë muajsh, që nga fillimi i vitit shkollor, dhe ende nuk ka përfunduar. Është e qartë se do të vazhdojë edhe pasi të përfundojë viti shkollor. Kur familja e vajzës mësoi për rastin, e denoncoi në polici. Denoncim ka edhe në shkollë, në Ministrinë e Arsimit dhe në Qendrën për Punë Sociale.
Prokuroria Publike ka nisur procedurë për veprën penale “dhunë ndaj fëmijës”, por vetëm kundër një prej vajzave që morën pjesë në dhunë – e vetmja që kishte mbushur 14 vjet. Prokurori kishte propozuar masë mbikëqyrjeje të shtuar nga Qendra për Punë Sociale. Por gjykata e zëvendësoi masën me një më të butë – mbikëqyrje të shtuar nga prindërit. Avokatja është ankuar ndaj kësaj mase dhe procedura ende vazhdon.
“Dënimet më të rrepta dhe në kohë për dhunën mes bashkëmoshatarëve janë të rëndësishme sepse ndihmojnë në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave. Kështu të rinjtë mësojnë se çdo sjellje e keqe ka pasoja, ndërsa shkollat bëhen vende më të sigurta për të gjithë”, thotë Ristova.
Dy nxënëset e tjera që në video po ashtu e godasin nxënësen e klasës së gjashtë nuk mbajnë përgjegjësi penale, sepse janë nën moshën 14-vjeçare. Për më tepër, Prokuroria ka nisur procedurë edhe kundër dy nxënësve për incizim të paautorizuar. Për këtë vepër, prokuroria ka propozuar masën – qortim.
Shkollat të pafuqishme përballë bullizmit, kërkojnë masa më të ashpra
Ulja e sjelljes është masa që ka shqiptuar shkolla “Vanço Prke” ndaj nxënësve që e rrahën nxënësen e klasës së gjashtë.
“Kjo është masa më e ashpër që ne si shkollë mund të shqiptojmë”, thotë drejtori Kokan Radev për Kolegium.mk.
Dy nxënëse nga ato që morën pjesë në rrahje vetë kanë kërkuar të transferohen në paralel tjetër dhe në ndërrim tjetër. Si me autorët e dhunës ashtu edhe me viktimën kanë punuar psikologu dhe pedagogu i shkollës. Qëllimi ka qenë të ndiqen ndryshimet në sjelljen dhe gjendjen e tyre emocionale dhe, nëse ka, mësimdhënësit të sinjalizojnë me kohë.
Por, a do të kenë efekt këto masa?
“Në këtë rast – po, por nëse do të jenë mësim edhe për nxënësit e tjerë që të mos përdorin dhunë, nuk mund ta garantoj”, thotë drejtori i shkollës në Shtip.
Ai pajtohet se dhuna në shkolla është problem i madh.
“Çdo ditë kemi akte dhune, tallje, dhunë kibernetike, askush prej nesh nuk mund ta kontrollojë, ndërsa duart na janë të lidhura. Nuk guxojmë as telefonin t’ua marrim. Pres të na lejojnë masa më rigoroze dhe më gëzon fakti që ministrja e Arsimit paralajmëroi dënime edhe për prindërit”, thotë Radev.
Të dhënat që Kolegium.mk i mori nga MPB-ja janë dramatike – nga viti 2021 deri në vitin 2025 numri i rasteve të regjistruara të sjelljes së dhunshme mes nxënësve është rritur katërfish, kryesisht në shkollat fillore.
“Këso mizorish mes nxënësve më parë nuk kishte… të djegin shokun e klasës me cigare, ta rrahin brutalisht, ta poshtërojnë, ta tallin, të kënaqen kur tjetri vuan dhe ta incizojnë këtë… ky shtet duhet urgjentisht të vendosë dënime të rrepta dhe ta ndalë këtë çmenduri në shkolla. Çfarë kuptimi kanë ato mbikëqyrje që i japin, prindi t’i thotë fëmijës ‘herën tjetër mos bëj ashtu’, dhe kjo të na mjaftojë? Tek ne nuk mjaftoi dhe la pasoja të përhershme”, thotë Tanja Joveva, nënë e një nxënësi të klasës së shtatë, djalin e të cilës e rrihnin dhe e tallnin në shkollë sepse ishte më i turpshëm se shumica në klasë.
Një psikolog nga një shkollë fillore në Shkup thotë se nxënësit po respektojnë gjithnjë e më pak autoritetin, ndaj nuk paraqiten as kur i thërret pas një incidenti. Dhe – nuk mund t’u bëjë asgjë.
“Nxënës i klasës së tetë fyen vazhdimisht, ngacmon të tjerët, ngriti në ajër një fëmijë dyfish më të dobët dhe e lëshoi në tokë. E thërras të vijë në zyrë, më thotë: ‘nuk vij moj, çfarë do më bësh’. I thërras prindërit, as ata nuk vijnë”, dëshmon psikologu që deshi të mbetet anonim.
Si duket mbikëqyrja nga QPS-ja dhe nga prindërit?
Mbikëqyrja e shtuar nga prindi ose Qendra për Punë Sociale, qortimi ose dërgimi në shtëpi korrektuese janë masat që gjykatat kanë në dispozicion sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve.
Nga 37 procedura me vendim të formës së prerë në vitin 2025, sanksioni më i shpeshtë ka qenë mbikëqyrja e shtuar nga Qendra për Punë Sociale.
Sipas Gjykatës Penale, masa më e ashpër – dërgimi në shtëpi korrektuese – nuk është shqiptuar asnjëherë në vitet 2025 dhe 2026. Rastet e fundit që tronditën opinionin, si ai në Gjorçe Petrov, janë ende në fazë hetimi.
Si do të duket mbikëqyrja nga QPS-ja dhe sa do të zgjasë, varet nga masa që ka shqiptuar gjykata. Për shembull, prindërit dhe fëmija duhet të paraqiten shpesh në QPS dhe me ta të punojë ekip profesional, ose punonjësit socialë të bëjnë vizita të papritura në shtëpi, ose prindi të marrë detyra konkrete – për shembull, nëse fëmija ikën nga shkolla, prindi ka detyrim ta dërgojë në shkollë dhe çdo ditë ta pyesë çfarë ka bërë gjatë orëve.
QPS-ja kontrollon nëse prindi i përmbush detyrat.
Por edhe punonjësit socialë ankohen për mungesë koordinimi mes institucioneve.
“Tek ne puna profesionale nuk është problem. Problemi është se ka shumë procedura, shumë dokumente, por nuk i respektojmë kompetencat e njëri-tjetrit. Nëse QPS-ja mendon se duhet një masë, ndërsa gjykata cakton tjetër, atëherë çfarë bëjmë ne këtu?”, tha një punonjëse sociale nga Qendra për Punë Sociale.
Në Ministri raportojnë prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit heshtin
Në adresën elektronike për raportim të dhunës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë arritur 51 denoncime gjatë vitit 2025 dhe edhe 25 denoncime që nga fillimi i vitit 2026.
Prej tyre, vetëm dy denoncime janë bërë nga nxënës dhe dy nga mësimdhënës. Të tjerat, gjithsej 72, janë bërë nga prindër.
Në përpjekje për të frenuar dhunën mes bashkëmoshatarëve, ministrja e Arsimit Vesna Janevska paralajmëroi gjobë prej 250 eurosh për prindërit e nxënësve që ushtrojnë dhunë. Ministria e Arsimit gjithashtu udhëzoi shkollat që, në vend të nxënësve, tashmë të kujdestarojnë mësimdhënësit, me arsyetimin se ata i njohin më mirë nxënësit dhe mund të parandalojnë sjellje të dhunshme dhe të pahijshme.
Ndër rastet e fundit të dhunës mes bashkëmoshatarëve është edhe ai në Gjorçe Petrov, ku u raportua se një grup prej katër vajzash keqtrajtonin një vajzë 13-vjeçare, duke e djegur me cigare dhe duke e detyruar të hajë jashtëqitje qeni, ndërsa gjithçka e incizonin me telefon celular. Edhe kundër prindërve të tyre janë ngritur kallëzime penale.
Pas kësaj, para shkollës “Stiv Naumov” në Manastir patrullonte policia pasi prindërit e nxënësve të klasës së shtatë dërguan ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, se një bashkëmoshatar kishte kërcënuar në TikTok me likuidim të nxënësve.
Së fundmi, në një shkollë në lagjen Hasanbeg të Shkupit, një ish-nxënës theri me thikë një nxënës të klasës së nëntë, i cili për shkak të lëndimeve u shtrua në kujdes intensiv në Qendrën Klinike.



