Gjashtë të arrestuar për shtatë raste dhune në familje brenda 24 orëve

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi për disa raste të dhunës në familje, kërcënimeve dhe sjelljes agresive të regjistruara gjatë ditëve të fundit në disa qytete të vendit, ku disa persona janë privuar nga liria.

Sipas MPB-së, më 18 maj në një fshat të komunës së Çuçer-Sandevës, policia e Shkupit arrestoi N.A. (33) nga rajoni i Shkupit, pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 33-vjeçare në shtëpinë familjare.

Në një rast tjetër, policia e Kumanovës arrestoi A.T. (42) nga Kumanova, pas denoncimit të gjyshit të tij 85-vjeçar, i cili raportoi se ishte sulmuar fizikisht pas një debati në shtëpinë familjare në një fshat të Nagoriçanit të Vjetër.

Po ashtu, në Kumanovë janë privuar nga liria edhe A.Q. (43) dhe motra e saj E.Q. (20), të cilat dyshohen se kanë sulmuar fizikisht bashkëshorten e babait të tyre të ndjerë.

Një 18-vjeçare nga Tetova ka raportuar se bashkëshorti i saj 26-vjeçar nga një fshat i Negotinës e kishte kërcënuar përmes një aplikacioni mobil.

Ndërkohë, në Ohër policia arrestoi Gj.M. (67), i dyshuar se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 61-vjeçare pas një debati në familje. Po në Ohër, është arrestuar edhe M.I. nga Dibra, pas denoncimit të partneres së tij jashtëmartesore 23-vjeçare, e cila deklaroi se ai e kishte sulmuar fizikisht më 15 maj.

Në një rast tjetër në një fshat të Manastirit, policia ka shoqëruar I.K. (50) për sjellje agresive dhe prishje të rendit publik. Më pas, bashkëshortja e tij 44-vjeçare denoncoi se ai kishte kërcënuar dhe sulmuar fizikisht vajzën e tyre të mitur në shtëpinë familjare.

Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rasteve dhe pas dokumentimit të tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse ndaj personave të përfshirë.