Filkov: Gjuha maqedonase në provimin e jurisprudencës është detyrim ligjor, jo diskriminim

-Reagoj ashpër ndaj përpjekjeve që provimi i jurisprudencës të shndërrohet në fushë për presion politik dhe përballje etnike. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje e profesionalizmit, ekspertizës dhe respektimit të rendit juridik të shtetit. Përpjekjet që detyrimi ligjor për njohjen e gjuhës maqedonase të paraqitet si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm me opinionin publik dhe goditje direkte ndaj rendit kushtetues, tha ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në reagimin e tij lidhur me protestat për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Fillkov protestat e djeshme të studentëve i ka konsideruar si “të dhunshme”.

“Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe themel i sistemit institucional dhe juridik. Është e papranueshme që tema të ndjeshme, të cilat prekin drejtpërdrejt sistemin juridik, të përdoren për mbledhje pikësh politike ose për krijimin e tensioneve ndëretnike. Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga. E drejta për protestë është e drejtë demokratike, por askush nuk ka të drejtë që përmes protestave të dhunshme të kërkojë rrënimin e kritereve dhe standardeve në drejtësi. Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional dhe të argumentuar, por nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit gjyqësor dhe as minimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional. Gjuha maqedonase nuk është pengesë — ajo është detyrim, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, thotë Fillkov në reagimin e tij .