Vendimi i presidentit amerikan Donald Tramp për tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania është i papranueshëm, deklaroi koordinatori i qeverisë gjermane për bashkëpunimin transatlantik Piter Bajer.
Një përfaqësues amerikan të premten deklaroi se Tramp i ka urdhëruar forcat e armatosura të tërheqin 9,500 trupa nga Gjermania.
“Kjo është plotësisht e papranueshme, veçanërisht duke e marrë parasysh që askush në Uashington nuk mendoi se duhet ta ketë informuar paraprakisht aleatin e tyre të NATO-s, Gjermaninë,” theksoi Bajer, i cili është anëtar i partisë konservatore të kancelares gjermane Angela Merkel, CDU.
Pas vendimit të Trampit, Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Hajko Mas deklaroi se pendohet për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, duke i përshkruar marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Berlinit si “komplekse”.




