Gazetari nga Shqipëria, Marin Mema, ka reaguar ashpër ndaj situatës me të drejtat gjuhësore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke fajësuar politikën shqiptare, me theks të veçantë BDI, për moszgjidhjen e problemit ndër vite.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Mema thekson se studentët shqiptarë nuk do të kishin nevojë të protestonin sot, sikur partitë shqiptare që kanë qenë për vite në pushtet të kishin punuar me përgjegjësi për të drejtat kombëtare dhe gjuhësore.
“Po të ishte punuar drejt, me vullnet e dashuri për Kombin, sot nuk do të ishim në këtë pikë”, ka shkruar ai.
Mema kritikon ashpër politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se për interesa personale dhe poste politike është zgjedhur heshtja, ndërsa problemet e shqiptarëve kanë mbetur të pazgjidhura.
“Kanë pranuar të gjithë, për karrige… heshtjen”, thuhet në reagimin e tij.
Sipas tij, fakti që në vitin 2026 mijëra studentë dalin në protesta për gjuhën shqipe është dëshmi e dështimit të partive shqiptare që për vite kanë udhëhequr institucionet, duke aluduar drejtpërdrejt për BDI-në.
Gazetari shqiptar gjithashtu bëri thirrje që të rinjtë të marrin përgjegjësi më të madhe në shoqëri dhe të vendosin interesin kombëtar mbi interesat partiake.





