Shpresë e re për rrugën Shkup-Bllacë, Zekolli: Ka përfunduar tenderimi!

“Nga kjo rrugë kemi parë shumë video promovuese, premtime për ndërtim të shpejtë të rrugës, sepse kjo rrugë është një projekt strategjik për vendin. Por, edhe pas rreth një dekade, rruga Shkup-Bllacë mbetet ndër projektet më të zvarritura infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut. Segmenti kryesor i rrugës prej 10.2 kilometrash nuk ka nisur ende me ndërtim. Tani pritet miratimi final i projektit nga BERZH-I”.

Krahas gjithë këtyre prolongimeve të punimeve, zëvendësministrja e Transportit Kaltrina Zekolli hedh një shpresë të re për jetësimin e këtij projekti. Ajo për TV Shenja-n shprehet optimiste se punimet në këtë rrugë do të nisin shumë shpejtë.

Kaltrina Zekolli Shaqiri, zv/ministre e Transportit

“Mund të them se pjesa e tenderimit ka përfunduar. Po presim përgjigje nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rikonstruim. Ata e kanë fjalën e fundit, sepse kemi grant nga ta dhe kemi kredi. Kredia është diku 160 milion euro, ndërsa grantin që e marrim është 30 milion euro. Unë jam optimiste së shumë shpejtë do të dalim me një lajm të mirë për këtë rrugë, por nuk mund ta jap ende informata më të detajuara.

Projekti për autostradën Shkup –Bllacë daton nga viti 2014. Pas premtimeve disa vjeçare, ndërtimi i segmentit të parë filloi në vitin 2020. Zyrtarët e partisë atëkohë në pushtet BDI, me video lavdëroheshin për këtë projekt, i cili nuk përfundoi kurrë.

Kosova në anën tjetër, e ka përfunduar pjesën e saj prej 56 kilometrash në vetëm 5 vjet. Autostrada “Arben Xhaferi” shtrihet nga Prishtina deri te kufiri i Kosovës me Maqedoninë e Veriut dhe është i qarkullueshëm qe shtatë vjet.