Deklarata thumbuese e Merz: Nuk do këshilloja fëmijët e mi të shkojnë në SHBA

09 April 2025, Berlin: Friedrich Merz, CDU candidate for chancellor and CDU federal chairman, speaks at a press conference of the CDU/CSU and SPD party chairmen to present the coalition agreement in the Paul Loebe House. Photo: Kay Nietfeld/dpa

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shkaktuar debat ndërkombëtar, pas deklaratës së tij se nuk do t’u rekomandonte fëmijëve të tij të shkonin për studime apo punë në Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se klima sociale dhe politike atje është bërë “shumë e polarizuar” dhe më pak tërheqëse se më parë.

Deklarata u bë gjatë një konference me të rinj katolikë në qytetin Uurzburg të Gjermanisë, ku Merz foli për situatën globale dhe mundësitë për të rinjtë. Ai theksoi se, ndonëse mbetet një admirues i SHBA-ve, vlerësimi i tij për vendin nuk është më në rritje, për shkak të zhvillimeve të fundit sociale dhe politike.

Sipas tij, ndryshimet në shoqërinë amerikane kanë krijuar një mjedis më të vështirë, ku edhe profesionistët shumë të kualifikuar po hasin vështirësi në tregun e punës. Në këtë kontekst, ai tha se sot do të preferonte që fëmijët e tij të kërkonin mundësi më shumë në Gjermani, të cilën e përshkroi si një vend me potencial të madh për të rinjtë dhe me më shumë stabilitet.

Merz gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve gjermanë që të mos bien në pesimizëm për të ardhmen e vendit të tyre, duke theksuar se Gjermania mbetet një nga vendet me më shumë mundësi ekonomike dhe profesionale në botë, veçanërisht për gjeneratat e reja.

Deklaratat e tij u pritën menjëherë me reagime të forta në SHBA. Ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili ka shërbyer gjatë administratës së presidentit Donald Trump, e kritikoi ashpër kancelarin gjerman. Ai tha se Merz po ndikohet nga retorika politike dhe media “uoke”, duke e akuzuar se nuk ka një strategji të qartë në marrëdhëniet me SHBA-të.

Edhe në Gjermani pati reagime të menjëhershme. Liderja e partisë së ekstremit të djathtë Alice Ueidel kritikoi deklaratat e kancelarit, duke thënë se është paradoksale që ai bën deklarata kundër SHBA-ve, ndërkohë që, sipas saj, Gjermania po përballet me probleme ekonomike dhe sociale të brendshme.

Kjo deklaratë vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-ve janë të ndjeshme, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe tensionet e lidhura me politikën ndaj Iranit. Në javët e fundit, këto çështje kanë rritur presionin mbi aleancën transatlantike dhe kanë sjellë deklarata të forta nga të dyja palët.