Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se kryetari i kësaj komune Sami Lushtaku nuk ka pranuar ende ftesë zyrtare nga organet e drejtësisë për t’u përgjigjur lidhur me pretendimet se të enjten e ka sulmuar zëvendësministrin e Financave Hysni Mehani.
Nura në një konferencë për media ka thënë se Lushtaku është i gatshëm të deklarohet për rastin, derisa ka theksuar se ky i fundit nuk ka qenë i përfshirë direkt.
“Ftesë zyrtare deri tash nuk kemi si institucion. Jemi duke pritë, në momentin që e kemi sigurisht se Lushtaku do të përgjigjet. Nuk kemi pasur ftesë zyrtare. Rasti është marrë nga Prishtina dhe janë në procedurë të intervistimit një pjesë e dëshmitarëve pastaj kurdo që ka nevojë kam thënë më kontaktoni”, ka thënë Nura.
Nura ka shtuar se dy zyrtarët e arrestuar një ditë më parë për sulmin, nuk kanë qenë në vendngjarje.
“Sa i përket incidentit, Lushtaku nuk ka qenë i përfshirë në incident, por këtë do ta zbardhin organet përgjegjëse… Në këtë moment, dy zyrtarë që nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes janë të ndaluar nga dje pasdite. Ekzistojnë edhe dëshmi për këtë”, u shpreh ai.
Nura e ka quajtur “të panevojshme” praninë e Njësisë Speciale në Skenderaj mbrëmjen e së enjtes.



