Finlanda tha të premten se aktiviteti i dyshuar i dronëve në qiellin mbi rajonin e kryeqytetit të vendit nuk përbën më kërcënim dhe situata po kthehej në normalitet ndërsa aeroporti i Helsinkit u rihap.
Departamenti i emergjencave i Qytetit të Helsinkit më herët të premten kishte paralajmëruar 1.8 milion banorë të rajonit Uusimaa në Finlandën jugore, që përfshin kryeqytetin, të qëndronin brenda ndërsa situata zhvillohej.
Finlanda dhe shtetet e afërta baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë kanë parë një sërë incidentesh të kohëve të fundit ku dronë ukrainas të lëshuar kundër Rusisë kanë humbur në hapësirën e tyre ajrore, por nuk dihej menjëherë nëse incidenti i së premtes ishte i ngjashëm.
Forcat finlandeze të mbrojtjes ngritën avionë luftarakë dhe shërbime të tjera emergjente u angazhuan në përgjigje të situatës.
Ministrja e Brendshme tha në anën tjetër se ishte e sigurt që njerëzit të shkonin në punë dhe në shkollë. Trafiku në aeroportin e Helsinkit rifilloi gjithashtu pas një pezullimi tre-orësh.
Shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nga dronët ukrainas vijnë ndërsa Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së eksportit të naftës së Rusisë, duke përfshirë sulme masive në portet Primorsk dhe Ust-Luga në Detin Baltik.



