Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar katër persona nën dyshimet se kanë kryer dhune familjare, ndërkohë ishin raportuar pesë raste të tilla, transmeton Portalb.mk.
Për sjellje agresive ndaj bashkëshortes, Policia e arrestoi 39 vjeçarin nga Shtipi, ndërsa në Bogdanci u arrestua 38 vjeçari nën dyshimet se e ka sulmuar djalin e mitur.
“Policia e arrestoi banoren 71-vjeçare të një fshati në Strumicë, duke vepruar pas denoncimit paraprak se në shtëpinë familjare fizikisht e kishte sulmuar të renë e saj 43-vjeçare”, raportoi Policia.
Policia ka arrestuar edhe 29 vjeçarin nga Radovishi për shkak sjelljes agresive ndaj nënës së tij.
Në Karposh, gruaja e paraqiti burrin në polici për sulm fizik, ndërsa një orë më vonë burri i njëjtë e ka paraqitur gruan e njëjtë për dhunë fizike.
Ndryshe, për shkak të këtyre rasteve, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën.
Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.





