Në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dorëzuar një njoftim zyrtar për eksport të artikujve të mbrojtjes dhe shërbimeve ushtarake drejt Kosovës, në vlerë prej mbi 14 milionë dollarësh.
Sipas dokumentit që ka parë Klankosova.tv, Departamenti i Shtetit ka transmetuar në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë certifikimin e një licence të propozuar për eksport të artikujve të mbrojtjes, përfshirë të dhëna teknike dhe shërbime të mbrojtjes për Kosovën.
Në dokument thuhet se bëhet fjalë për “një licencë të propozuar për eksport të artikujve të mbrojtjes, përfshirë të dhëna teknike dhe shërbime të mbrojtjes për Kosovën në shumën prej 14,000,000 dollarësh ose më shumë”.
Njoftimi i është referuar Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.
Marrëveshjet e Kosovës me ShBA-në për armatim
Vitin e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit pati miratuar kërkesën e Kosovës për shitjen e një numri të raketave Javelin për vendin tonë, në vlerë 75 milionë dollarë.
Kosova, thuhej në njoftimin e atëhershëm, ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F, që njihen si raketa antitank.
Në njoftimin e Departamentit Amerikan, thuhej se me këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të raketave.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, thuhej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare. Tani kërkesa i shkon Kongresit amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja”, thoshte njoftimi i DASh-it, raporton Klankosova.tv.
Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e kishte konfirmuar atë kohë se qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerje ushtarake përmes programit FMS Shitjet e Huaja Ushtarake.
Në këtë program parashihen blerjet ushtarake, sistemin raketor antitank “Javelin” por, dhe sisteme të tjera armatimi.
Forca e Sigurisë së Kosovës, deri në vitin 2018 ishte një forcë e armatosur lehtë, dhe kishte statusin për reagime në rastin e katastrofave natyrore. Por në vitin 2018, me konfirmimin e aleatëve perëndimorë, sidomos ShBA-së, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që e shndërroi FSK-në në Ushtri të Kosovës.



