Azam Dauti në mbështetje të studentëve shqiptarë: Gjuha shqipe nuk është lëmoshë, por identitet kombëtar

Botuesi i SHB Shkupi, Azam Dauti, ka dal në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë, duke theksuar se gjuha shqipe është e drejtë dhe obligim kushtetues, e jo çështje interpretimesh apo rekomandimesh jodetyruese të Komisionit të Venecias.

Dauti deklaron se Maqedonia ka vetëm një obligim ndaj Bashkimit Evropian, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, ndërsa të drejtat e shqiptarëve dhe përdorimi i gjuhës shqipe janë çështje të garantuara me Kushtetutë.

Ai shpreh mbështetje të plotë për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, duke theksuar se “gjuha nuk është privilegj, por identitet, e drejtë dhe themel i barazisë qytetare”.

Në vijim deklarata e plotë e Dautit:

Gjuha shqipe është e drejtë dhe obligim kushtetues, jo çështje interpretimesh apo rekomandimesh jodetyruese të Komisionit të Venecias! Maqedonia ka vetëm një obligim ndaj BE-së: përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë!

Në çdo kohë kur preket dinjiteti i gjuhës shqipe, nuk protestojnë vetëm studentët, por proteston vetë ndërgjegjja kombëtare shqiptare në Maqedoni.

Mbështes plotësisht protestën e studentëve shqiptarë për të drejtën legjitime që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, sepse gjuha nuk është privilegj, por identitet, e drejtë dhe themel i barazisë qytetare.

Do të jem gjithmonë pranë protestave studentore që mbrojnë dhe avancojnë trungun kombëtar shqiptar, sepse rinia dhe studentët shqiptarë janë zëri më autentik i kombit tonë. Ata nuk janë e ardhmja, ata janë e tashmja jonë, të cilën duhet ta përkrahim me dinjitet dhe përgjegjësi.
Një popull që hesht për gjuhën e vet, fillon të humbasë edhe aspiratat e veta kombëtare. Ndërsa studentët tanë sot po dëshmojnë se shqipja nuk mbrohet me deklarata ceremoniale, por me qëndresë, dije dhe dinjitet. Gjuha nuk është lëmoshë, gjuha është identiteti ynë!…

Dhe një lutje për politikanët e dështuar që për dekada të tëra nuk bënë asgjë: Sa më larg studentëve!… Prania juaj e zbeh sinqeritetin e asaj fryme të pastër kombëtare që sot jeton te rinia jonë mendjendritur!…