Ibrahimi: Dy gjëra që e bëjnë VLEN-in unik!

Janë dy gjëra që e bëjnë VLEN-in unik:
1. Është hera e parë që shqiptarët, më saktë disa parti politike shqiptare, bëhen bashkë në një parti. Pavarësisht shtytjes, që dikush mund ta vë në diskutim, askush nuk e zhbën faktin se ndodh për herë të parë që pesë entitete politike bëhen bashkë në një parti të vetme. Dhe, përkundër krejt oponencave, kjo duhet vlerësuar si kulturë që na ka munguar dhe që VLEN-i po e instalon.
2. VLEN-i po vjen i definuar në dokumente si parti e qendrës së djathtë, e cila është e vendosur te kombi, familja, gjuha, besimi, trashëgimia kulturore dhe ekonomia e tregut të lirë. Kundrejt partive pa identitet, që janë luhatur prej te internacionalja proletare deri te partitë e gjelbra, VLEN-i është te kombëtarja. Prandaj për VLEN-in është e rëndësishme gjuha, simbolet kombëtare dhe, në përgjithësi, identiteti kombëtar. Kundrejt ideve liberale me qendër individin, VLEN-i, si subjekt me një konservatorizëm të moderuar shoqëror, e ka celulë të shoqërisë familjen. Kundrejt atyre që, në emër të laicizmit agresiv, e përjashtojnë dhe e margjinalizojnë besimin, VLEN-i e afirmon besimin te Zoti dhe etikën me burim hyjnor. Kundrejt partive që, në emër të modernitetit, nuk i japin asnjë vlerë trashëgimisë kulturore, VLEN-i beson se trashëgimia kulturore është strumbullari mbi të cilin ngrihet kombi, familja dhe mbi të cilin duhet të ndërtohet edhe shteti.

Këto janë dy arsyet themelore që VLEN-i sulmohet me tema periferike dhe themeluesit e saj goditen edhe nën bel.
Por, ja një mundësi që edhe ata, përtej interpretimeve provinciale e herë-herë vagabondeske, të lexojnë edhe ndonjë gjë me vlerë.

*Status fejsbuku i Zeqirja Ibrahimit, VLEN