Libani në kolaps: Armëpushim i dështuar dhe popullsia në lëvizje masive

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njofton se sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar 51 viktima, mes tyre edhe punonjës mjekësorë.

Sipas deklaratës së ministrisë, në shënjestër kanë qenë edhe dy pika të Autoritetit Shëndetësor në Qalawiya dhe Tibnin, në rajonin e Bint Jbeil-it, në jug të vendit. Autoritetet libaneze akuzojnë se sulmet përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe normave humanitare, veçanërisht për shkak të goditjes së infrastrukturës mjekësore dhe personelit shëndetësor.

Ministria shton se situata në vend mbetet e rënduar pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili ndodhet në javën e 3-të të tij.

Sipas të dhënave të publikuara, që nga fillimi i një operacioni të ri ushtarak në mars, numri i viktimave në Liban ka vazhduar të rritet, ndërsa Kombet e Bashkuara raportojnë edhe për dhjetëra punonjës mjekësorë të vrarë dhe të plagosur gjatë më shumë se 130 sulmeve.

Në terren, drejtues të mbrojtjes civile në jug të Libanit përshkruajnë një situatë të vazhdueshme frike dhe pasigurie, duke thënë se ekipet e emergjencës punojnë çdo ditë nën kërcënim të drejtpërdrejtë. Ata theksojnë se shpeshherë pyesin nëse do të mund të mbijetojnë gjatë operacioneve të shpëtimit, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.

Raportohet gjithashtu për zhvendosje masive të popullsisë në Liban që nga marsi, ndërsa pavarësisht armëpushimit të shpallur në prill, sulmet dhe tensionet në terren vijojnë të mbeten të larta.

© SYRI.net