Anija turistike MV Hondius e prekur nga hantavirusi u ankorua në Ishujt Kanarie të Spanjës të dielën, ku pasagjerët do të evakuohen me fluturime riatdhesimi. Euronews raporton se, kanë filluar fluturimet e evakuimit për pasagjerët dhe ekuipazhin nga anija turistike e prekur nga hantavirusi, e cila u ankorua në Ishujt Kanarie të Spanjës të dielën.
Grupi i parë, të gjithë shtetas spanjollë, janë evakuuar dhe tani janë duke shkuar për në Madrid, ku do të kalojnë në karantinë. Të gjithë pasagjerët në aeroplan janë asimptomatikë. Zbritja do të bëhet në grupe prej 5 personash dhe vetëm kur avioni përkatës, varësisht nga kombësia e grupit, të jetë gati për t’u ngritur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tenerife Jugor. Operacioni është planifikuar të zgjasë deri të hënën.
Qeveria spanjolle ka thënë se operacioni do të kryhet në mënyrë të izoluar pa asnjë kontakt ose rrezik për popullsinë lokale. Anija do të vazhdojë më pas rrugën e saj drejt Holandës. Tre pasagjerë nga anija një burrë e grua holandeze dhe një grua gjermane kanë vdekur, ndërsa të tjerë janë sëmurë nga sëmundja e rrallë, e cila zakonisht përhapet midis brejtësve.
Katër persona janë nën mbikëqyrje në Itali pasi hipën për pak kohë në një fluturim me një nga viktimat. Ministria e shëndetësisë e qarkut thotë se rreziku për publikun është shumë i ulët. I vetmi lloj hantavirusi që mund të transmetohet nga një person në tjetrin virusi i Andeve është konfirmuar midis atyre që kanë rezultuar pozitivë, duke nxitur shqetësim ndërkombëtar.
“Ne i klasifikojmë të gjithë personat në bord si atë që e quajmë kontakt me rrezik të lartë”, tha të shtunën drejtoresha e OBSH-së për përgatitjen dhe parandalimin e epidemive dhe pandemive, Maria Van Kerkhove.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili mbërriti në Spanjë të shtunën dhe pritet të mbikëqyrë evakuimin e anijes, dha të njëjtën siguri dhe falënderoi popullin e Tenerife-s për solidaritetin e tyre.
© SYRI.net



