Pas protestës së fermerëve, Qeveria shton kontrollet në sektorin e qumështit

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, tha të dielën se autoritetet në Kosovë kanë identifikuar raste kur produkte të qumështit të shitura në treg nuk e pasqyrojnë saktë përbërjen e tyre, mes dyshimeve për përdorim të qumështit pluhur dhe vajit të palmës si zëvendësues të qumështit të freskët dhe yndyrave shtazore.

Në një konferencë për media bashkë me përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Muja tha se sektori i qumështit po përballet me “presione të jashtme”, duke përmendur rritjen e importeve të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt te fermerët vendorë.

“Sektori i qumështit po përballet me dy presione… tendenca për ta zëvendësuar qumështin e freskët me qumësht pluhur dhe tendenca për t’i zëvendësuar yndyrat shtazore me yndyra bimore, me vaj palme”, tha Muja.

Sipas tij, të dhënat e Doganës dhe verifikimet e AUV-it tregojnë rritje të importeve të qumështit pluhur dhe fraksioneve të vajit të palmës që përdoren në industrinë e përpunimit të qumështit.

Debati për sektorin e qumështit u intensifikua pas raportimit të Radios Evropa e Lirë se rreth 30 për qind e qumështit vendor po mbetet pa u shitur, ndërsa fermerët dhe përpunuesit fajësojnë importet dhe përdorimin e produkteve zëvendësuese për çrregullimet në treg.

Muja tha se gjatë javës së parë të kontrolleve janë marrë 118 mostra në kufi dhe 52 mostra në tregun vendor, ndërsa analizat laboratorike kanë identifikuar raste të mospërputhjes.

“Ani pse produktet mund të paraqiten si me përbërje qumështi, pas analizave ato rezultojnë që kanë përbërje tjetër”, tha ai.

Sipas ministrit, një pjesë e ngarkesave të importuara janë ndaluar përkohësisht në kufi dhe disa prej tyre janë kthyer mbrapsht për shkak të mospërputhjes me standardet dhe legjislacionin në fuqi.

Ai tha se qëllimi i masave të reja është garantimi i sigurisë ushqimore dhe rritja e transparencës për konsumatorët.

“Konsumatori ka të drejtë me ditë çka po blen dhe çka po han”, tha Muja.

Ministri njoftoi se Qeveria do të publikojë dy vendime të reja për sektorin e qumështit. Njëri parasheh klasifikim më të saktë të produkteve të qumështit, ndërsa tjetri krijimin e një sistemi të ndarë prodhimi për produktet që përmbajnë qumësht pluhur dhe vaj palme.

Sipas tij, emërtimet tradicionale si “qumësht”, “djathë”, “gjizë” apo “krem” do të mund të përdoren vetëm për produktet me përbërje nga yndyrat shtazore.

“Në momentin kur shtohen [përbërës të tjerë], nuk vlejnë më këto emërtime tradicionale”, tha Muja.

Djathi është ndër produktet më të konsumuara në Kosovë.
Djathi është ndër produktet më të konsumuara në Kosovë.

Ai shtoi se operatorët ekonomikë që përdorin vaj palme dhe qumësht pluhur do të duhet të riaplikojnë për licenca të veçanta dhe produktet e tyre nuk do të mund të tregtohen me emërtime tradicionale të produkteve të qumështit.

Sipas Mujës, me këto vendime pezullohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në përpunimin e produkteve të qumështit deri në krijimin e një kuadri të ri rregullativ nga AUV-i.

Konferenca u mbajt disa ditë pasi fermerët protestuan duke hedhur qumështin në lum, në shenjë pakënaqësie për rënien e çmimit të grumbullimit dhe vështirësitë në treg./REL