Kasami në Kongresin e VLEN-it: Kemi ndryshuar realitetin politik, sot marrim vendim historik

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami,në kongresin e VLEN-it, foli për rrugëtimin e VLEN-it, si dhe të ardhmen. Kasami tha se kur kanë nisur rrugën e VLEN-it, e kanë ditur sa e vështirë është të ndryshohet realiteti politik që për shumë vite dukej i paprekur.

Kasami theksoi se Kongresi i sotëm është moment reflektimi për një rrugë në të cilën ka pasur shumë sprova dhe tani hyn në një etapë të re.

“Kur u themelua Lëvizja BESA, shumëkush mendonte se ishte e pamundur të krijohej një alternativë reale politike shqiptare. Sistemi ishte i mbyllur, pushteti dukej i pakapshëm dhe kishte një bindje të përhapur se asgjë nuk mund të ndryshonte. Por ne besuam ndryshe. Besuam se politika nuk duhet të jetë pronë e askujt. Besuam se shqiptarët meritojnë më tepër sesa një retorikë të zbrazët. Dhe mbi të gjitha, besuam se populli ynë ka dinjitet dhe nuk duhet të trajtohet si numër vetëm në ditë zgjedhjesh”, deklaroi Kasami. /SHENJA/