Amerikanët goditën një mjet lundrues në Paqësor, të paktën dy të vdekur

Në sulmin më të fundit të ushtrisë amerikane ndaj një anijeje të dyshuar për kontrabandë droge në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, kanë humbur jetën dy burra, ndërsa një tjetër ka mbijetuar, njoftoi Komanda Jugore e SHBA-së.

Në një video të publikuar nga kjo komandë në rrjetet sociale shihet një objekt i errët, i ngjashëm me një mjet lundrues, para shpërthimit, pas së cilit ngrihet një kolonë zjarri nga oqeani.

Ushtria amerikane tha se “menjëherë ka njoftuar Rojën Bregdetare të SHBA-së për të aktivizuar sistemin e kërkim-shpëtimit për të mbijetuarin”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka miratuar një strategji të re kundër terrorizmit, sipas së cilës shkatërrimi i kartelëve të drogës në hemisferën perëndimore është vendosur si prioritet kryesor i administratës.

Fushata e administratës Trump kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në ujërat e Amerikës Latine po vazhdon që nga fillimi i shtatorit. Sulmet po kryhen në Paqësorin lindor dhe në Detin e Karaibeve, dhe deri tani në to kanë humbur jetën të paktën 193 persona. Në javët e fundit, sulmet janë intensifikuar sërish.

Njëkohësisht, Trump po përpiqet të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë më ngushtë me SHBA-në në luftën kundër kartelëve dhe të ndërmarrin vetë veprime ushtarake kundër trafikantëve të drogës dhe bandave transnacionale, të cilat, sipas tij, përbëjnë një “kërcënim të papranueshëm” për sigurinë kombëtare të hemisferës perëndimore. Kritikët, megjithatë, vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtyre sulmeve ndaj anijeve.