Ministri Durmishi: Politika moderne për tregun e punës dhe mbështetje më e madhe për qytetarët

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit e UNFPA, ku në fokus të diskutimeve ishin sfidat demografike, tregu i punës dhe nevoja për politika moderne që krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Gjatë takimit, ministri Durmishi theksoi se institucionet po punojnë intensivisht në krijimin e masave konkrete që do të mundësojnë rritjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të punës dhe mbështetje më të madhe për familjet dhe fuqinë punëtore të kualifikuar në vend.

“Po ndërtojmë politika që i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve dhe që synojnë krijimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës të punës”, u shpreh ministri Durmishi.

Ai nënvizoi se zgjidhjet e reja ligjore dhe masat aktive të punësimit janë pjesë e vizionit më të gjerë për zhvillim ekonomik, përfshirje sociale dhe rritje të cilësisë së jetesës për të gjithë qytetarët.

Sipas ministrit, vëmendje e veçantë po i kushtohet modernizimit të legjislacionit të punës, futjes së formave fleksibile të punës dhe mbështetjes së të rinjve përmes programeve të veçanta të punësimit dhe sipërmarrjes.

Në fund të takimit, ministri Durmishi theksoi rëndësinë e partneritetit institucional dhe bashkëpunimit rajonal për ndërtimin e një ekonomie më të fortë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët.