Lufta ‘fundos’ Gjirin/ Vlerësimet paraprake, 58 miliardë dollarë dëme

Konflikti me Iranin në të gjithë Gjirin Persik i ka shkaktuar rajonit deri më tani 58 miliardë dollarë dëme. janë këto vlerësimet e deritanishme, teksa goditjen më të madhe e ka marrë infrastruktura energjetike.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, prej nisjes së sulmeve janë goditur më shumë se 80 objekte në Katar, Bahrein, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo e ka shtyrë rajonin drejt një tronditjeje të madhe ekonomike.

Banka Botërore e ka ulur parashikimin e saj të rritjes për Lindjen e Mesme në 1.8% këtë vit nga 4% që ishte vlerësimi i mëparshëm, si pasojë e luftës, duke paralajmëruar se pasojat mund të jenë afatgjata. Katari dhe Kuvajti vlerësohet se do të kenë tkurrjen më të fortë ekonomike.

Shkalla e dëmit veccanërisht në infrastrukturën energjetike të këtyre dy vendeve sipas analistëve e ka kthyer rajonin prapa 10 deri në 20 vjet. Ndërkohë, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë treguar një qëndrueshmëri më të madhe kryesisht për shkak të eksporteve të naftës që nuk kalojnë transit përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e ka mbyllur.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga ana tjetër ka ulur ndjeshëm eksportet e naftës për vendet e tjera duke rritur presionin. Për prodhuesit e Gjirit, ky është shpëtimi i tyre ekonomik. Teksa konflikti vazhdon, analistët thonë se pasojat e plota ende nuk janë ndjerë në ekonomitë e këtyre vendeve.

Efektet po ashtu po përhapen përtej sektorit të energjisë. Udhëtimet dhe turizmi, një shtyllë kyçe e diversifikimit në disa ekonomi të Gjirit është goditur rëndë. Këshilli Botëror i Turizmi vlerësoi në mars se Lindja e Mesme po humbiste rreth 600 milionë dollarë në ditë që prej fillimit të luftës.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë kaluar dekada duke u ndërtuar në një qendër globale të turizmit, kanë qenë ndër më të ekspozuarat dhe së fundmi janë larguar edhe nga prodhuesi i naftës OPEC, duke I dhënë më shumë liri për të rritur eksportet. Konflikti mund të ndikojë gjithashtu në programet e diversifikimit ekonomik të vendeve të Gjirit, të cilat po investojnë miliarda në sektorë të tillë si inteligjenca artificiale, sporti dhe argëtimi për të zvogëluar varësinë e tyre nga të ardhurat nga nafta.

© SYRI.net