Dalja nga fshati – nisja për Turqi

Ismail BILALLI
(Tri familje nga fshati Grushinë i Shkupit që u shpërngulën dhe shkuan në Turqi)
(Unë i kisha shënuar vetëm përjetim e si ngjarje, për t’i vazhduar dhe përpunuar më vonë, pa të dhëna tjera).
(Haxhi Demir Shabani është shpërngulur dhe ka shkuar në Turqi në vitin 1976 me 21 anëtarë të familjes, Haxhi Nevzat Shabani dhe Haxhi Xhavit Shabani janë shpërngulur dhe kanë shkuar në Turqi në vitin 1978 me 20 anëtarë të familjes. Të tre janë vëllezër, ndërsa tani në Turqi numri i tyre ka arritur në 170 anëtarë. Këto të dhëna m’i siguroi Sadulla Kamberi, të cilin shumë e falënderoj).
(Në këtë fshat unë isha mësues i Gjuhës shqipe në vitet 1975-1982)
Lajmi se tri familje nga fshati po shpërnguleshin u përhap shpejt. Askush nuk u interesua, nga doli e nga udhëtoi e erdhi ai lajm, kryesorja ai hyri shtëpi më shtëpi. Fshatin e kaploi heshtje. Pasi hyri nëpër shtëpitë e fshatit, lajmi shkaktoi një habi. Habi e cila u përzie me një heshtje. Lajmi pasi i vizitoi të gjitha shtëpitë e fshatit, e mori rrugën për të shkuar më tej, doli jashtë fshatit. Nëpër miqësi, dajë, nipa, mbesa, nëpër shokë. Kah eci e shkoi shkaktoi habi. Kishte kohë që nuk ishte shpërngulur dikush nga fshati i tyre.
Por kjo fazë e heshtjes nuk zgjati shumë. Filloi një fazë tjetër. Fazë më serioze. Faza e diskutimit, e kritikave, argumenteve, e arsyetimeve, e përkrahjes dhe e mospërkrahjes. Këto familje vendimin për shpërngulje e kishin marrë para një viti, por lajmin e kishin dhënë tash, dy javë para se të niseshin për Turqi. Vendimin e kishin ditur vetëm dy-tre anëtarët më të vjetër të familjes. Të tjerët nuk e kishin ditur sepse atyre ua kishin mbajtur të fshehtë. Tani dy javë para nisjes, do të mjaftonin për t’u përshëndetur, për të bërë vizita e për të pritur vizitorë.
Ky lajm në fshat kishte nxitur bisedat për shkaqet dhe pasojat e kësaj shpërnguljeje. Në këto biseda e diskutime, mendimet ishin të ndara. Këto biseda ishin të mbushura me vlerësime, hamendësime, arsyetime, mbështetje e kundërshtime. Disa në bisedat e tyre këmbëngulnin se nuk ka asnjë arsye që duhet lëshuar ky vend. Kjo është toka jonë, këtu i kemi rrënjët, këtu kemi lindur dhe këtu duhet të vdesim. Këtu i kemi varret e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve, pesë… dhjetë e njëzet stër-stërgjyshërve. Kjo tokë na e ka dhënë gjuhën edhe bukën. Na e ka dhënë ujin. Na e ka dhënë jetën. Këtu i kemi ndërtuar shtëpitë tona. Këtu i kemi këngët dhe vallet tona. Këtu i kemi bërë dasmat. Këtu i kemi bërë lindjet. Këtu i kemi vdekjet, këtu i kemi edhe varret. Këto nuk lihen. Shpërnguljet për ne shqiptarët janë të dëmshme. Duhet t’i përballojmë vështirësitë. Kohët do të ndryshojnë. Për komb, fe e vatan duhet të luftojmë këtu. Se me shpërngulje e kënaqim armikun. Ne prej këtu nuk do të ikim. Edhe pse çdo ditë e më shumë këtu urrejtje ndëretnike po rritet. Kulmi i kësaj urrejtje mund të jetë gjakderdhja. Si duket sllavët nga ne po kërkojnë gjakderdhje. Le të kërkojnë. Nëse gjakderdhja na imponohet edhe gjak jemi të gatshëm të derdhim. Për ta mbrojtur shtëpinë tonë, tokën tonë, fëmijët tanë. Për t’i mbrojtur të drejtat tona. Njeriu ka një vendlindje, e ka një jetë, e ka një atdhe. Nuk e harrojmë, njeriu e ka edhe një vdekje. Por ajo vdekje më mirë është të jetë vdekje e dinjitetshme.
Disa të tjerë kishin mendim tjetër. Ata thonin se këtu nuk mund të jetohet. Këtu përveç varfërisë dhe skamjes, tjetër asgjë nuk ke. Jo, e ke zullum nga pushteti i cili çdo ditë e më shumë po shtohet. Shteti për nevojat tona nuk kujdeset fare. Për çdo gjë që kemi nevojë në fshatrat tona i kemi financuar dhe i kemi bërë vet. Kemi asfaltuar rrugë. E kemi sjellur vet rrymën në fshat. Kemi ndërtuar ujësjellës e kanalizime. Krejt këto me vetkontribut. Shteti vetëm ka marrë nga ne, e asgjë nuk na ka dhënë. Shkollimin na e pengon. Nuk na lejon të mësojmë në gjuhën tonë. Edhe fenë po na e ngucë. Tokës ia japim djersën, ajo nuk na jep bukë. Prej këtu duhet ikur sa më parë. Këto padrejtësi nuk durohen. Edhe toka ia ka shti hilen dhe si duket nuk na do. Më mirë ik. Këtu gjërat janë të vendosura mbrapsht. Urrejtje. Urrejtja po e arrinë kulmin. Në çdo çast mund të shpërthejë. Të shkaktojë gjakderdhje. Dhe gjaku do të derdhet. E pasi të derdhet gjaku, çfarë do të ndodh pastaj? Do të jetë edhe më keq.
Varianti që përfaqësonte një mendim tjetër ishte, se nëse dikush ka vendosur të kërkojë një jetë më të mirë për vete dhe për familjen e tij, është duke vepruar mirë. Ashtu edhe duhet. Le të shkojë. Nuk ka askush të drejtë t’i përzihet. Është nevojë e tij. Është vendim i tij. Është dëshirë e tij. Vendlindja dhe atdheu që nuk ta japin bukën dhe rehatinë, aty mos rri. Nuk të duhen. Duhet të ikësh sa më parë. Të ikësh e të shkosh edhe tek bren miza hekur. Për bukën e gojës. Për bukën e gojës dhe rehatinë. Atje ku djersa jote të ushqen dhe të bën të lumtur.
Kjo shpërngulje kishte nxitur reagime të heshtura edhe nga zyrtarët sllav. Zyrat ishin këndellur dhe ishin mbushur me muhabete. Nga bisedat e tyre shihej qartë, se këto shpërngulje i pritnin me gëzim. Këto shpërngulje po përmbushnin qëllimet e tyre. Dhe biseda pothuaj e përditshme e tyre ishte shpërngulja sa më e madhe e shqiptarëve nga këto troje.
Thonin- Dhashtë Zoti që sa më shumë dokumente për shpërngulje t’u japim shqiptarëve. Këtë punë do ta kryejmë me shumë vullnet e pa përtesë. Dhe nisën t’i numërojnë shkaqet se cilat do të nxisin shpërnguljen më të madhe. E njihnin mirë mentalitetin e shqiptarit. Në bisedë e sipër shprehnin planet dhe masat e tyre që t’i nxisnin sa më shumë shpërnguljet. Gjatë bisedës shpreheshin -se disa do të shpërngulen dhe do të shkojnë në Turqi pas fesë islame. Disa do t’i nxisim që të shkojnë në të katër anët e botës për të siguruar kafshatën e gojës. Këta do t’i marrin edhe gratë dhe fëmijët do t’i lindin atje, në mërgim. Ata fëmijë më nuk do të kthehen këtu. Ky do të jetë një asimilim i ngadaltë por i sigurtë. Ngadalë apo shpejt, kryesore është se ata do të asimilohen. Ata që do të mbeten këtu, mbi ta do ta shtojmë zullumin.
Tjetër që do të jetë me shumë efekt, është moslejimi i hapjes së shkollave. Kështu vetëdija e tyre kombëtare do të vyshket. Disa do t’i joshim në fenë tonë me metoda të ndryshme, duke përdorur atë të cilën e kanë përdorur të gjithë pushtuesit. Lehtësimet për jetesë. Pasi ta pranojnë fenë tonë ortodokse, asimilimi i tyre është i sigurtë. Tjetër çka duhet të dimë është se ata lindin shumë fëmijë. Lindja e fëmijëve të tyre është në duart tona, se spitalet janë nën kujdesin tonë. Kjo është një rrethanë shumë e mirë për ne. Do të lindin vetëm aq sa ne dëshirojmë. Ata (shqiptarët) do të marrin më shumë trupa foshjash të vdekura se trupa foshnjash të gjalla. Do t’i pengojmë. Nuk do të kenë asnjë përkrahje nga shteti. Për fëmijët e tyre nuk do të ketë sigurim social e as sigurim shëndetësor. Për ata fëmijë që do t’i lindin, me çdo mënyrë do t’ua imponojmë varfërinë. Fëmijët e tyre nuk do të shkollohen. Kështu të mbetur pa shkollë kur të rriten, për ta siguruar kafshatën e gojës që nga mosha e re do të punojnë punë të rënda, e do ta shkatërrojnë shëndetin. Nëse me ngulm do të kërkojnë ndonjë shkollë do t’ua lejojmë. Por fëmijët e tyre nëpër ato shkolla do t’i helmojmë e do t’i shterpëzojmë. Do të kurdisim edhe lloj-lloj fatkeqësie për ta. Fatkeqësi komunikacioni në grupe, të atij ajror, apo të atij tokësor. Do të gjejmë edhe metoda tjera për t’i shfarosur.
Mund të nxisim edhe vëllavrasjen në mes tyre. Disa do të shpërngulen nga gjakmarrja, disa do t’i asimilojmë edhe këtu. Djemtë që do t’i dërgojnë në ushtri, do t’ua kthejmë në arkivole. Do t’i nxijmë me propagandë e do t’i bëjmë katran. Do t’i bëjmë tërësisht të zinjë që nuk do ta njohin veten. Do t’i poshtrojmë para botës.
Pas të gjitha këtyre nisën të vetëlavdërohen. Të vetëlavdërohen duke thënë se -mendja sllave është shumë pjellore. E pjell djallëzinë për një minutë e sherri i saj do të veprojë me dekada. Ndër ta, do të kërkojmë njerëz që mund të shiten. E do t’i gjejmë. Mund të ketë ndër ta edhe të tillë që shiten lirë. Lirë shtrenjtë ne do t’i blejmë. Nuk kursejmë para. Ata do të bëhen masha jonë. Nga ata që mund të blihen, mund të jenë njerëz të thjeshtë e të varfër që do të shiten nga nevoja për mbijetesë. Njerëz që shiten mund të jenë edhe ata të politikës apo edhe të fesë. Ujë në mullirin tonë, e që ai mulli do të bluante mirë, do të çonte edhe fakti se shqiptarët i kanë tri besime fetare. Një rrethanë shumë e përshtatshme për të futur pyka përçarëse në mes tyre. Pyka përçarëse në mes muslimanëve dhe katolikëve, në mes muslimanëve dhe ortodoksëve, në mes katolikëve dhe ortodoksëve.
Edhe diçka të veçantë dhe interesante kanë ata. Ata e kanë besën. Edhe këtë do të mundohemi ta përdorim kundër tyre. Nëse një shqiptar e jep besën se do ta kyej një punë, ai atë punë e kryen. Edhe me çmimin e jetës. Nëse e japin besën, nuk tradhtojnë. Qoftë ai edhe armiku i tyre. Ne mund ta përdorim edhe besën e tyre për dobinë tonë. Ata nuk janë djallëzor si ne. Besojnë leht. Dhe ne për çdo gjë do t’ua kërkojmë besën. Ata kurrsesi nuk do mund ta pranojnë se ne jemi të pa besë. Se jemi mashtrues. Se ne besë nuk njohim. Dhe se të pabesit është absurd t’i japish besën. Por, ata do të na besojnë. E ne do t’i presim në besë. Për pabesi dhe shpifje aftësia jonë është e paparashikueshme. Ne kemi aftësinë që gënjeshtrën e bëjmë të vërtetë. Edhe ate, një nga të vërtetat shumë të fuqishme. Shumë më të fuqishme se e vërteta e tyre. Karshi gënjeshtrës tonë që do ta përhapim si të vërtetë, kush do ta dëgjojë të vërtetën e tyre, do të tallet. Për të nxitur tortura dhe burgosje ndaj tyre ne vetë do t’i shkatërrojmë varrezat tona. Fajin do t’ua mveshim atyre de, shqiptarëve. Dhe priti torturat dhe burgosjet. Ata nuk durojnë. Këtë mosdurim ne çdo ditë do ta nxisim. Do t’i provokojmë. Ata do të mendojnë që me armë t’i përgjigjen gjithë kësaj që u përmend më lart, por le ta provojnë. Është në dobinë tonë ta provojnë. Ne kemi ushtri e polici, kemi armatim. E ata mendojnë se katër-pesë pushkë e ndonjë revole të ndryshkur mund të luftojnë me ne. Nëse do të ngriten me armë kundër nesh, do t’i masakrojmë. Disa do t’i vrasim në luftë, disa do të ikin si refugjat kah sytë këmbët, dhe nuk do të kthehen më. Atyre (shqiptarëve) kështu iu vjen zhdukja. Këtë, ne si sllav e kemi detyrim politik, historik, fetar, kombëtar e patriotik. Vetëm duke qëndruar në urrejtje të përhershme mund të krijojmë kushte që të lirohemi prej tyre. Ata që do të shpërngulen, tokat e tyre do t’i blejë shteti. E ato toka do t’i shfrytëzojnë sllavët. Nëse na i dëmtojnë ato prona të blera do t’i dënojmë, torturojmë e burgosim.
Jemi popull me fat se për të gjitha këto na udhëheqin intelektualët. Kemi ndonjë, aty këtu prej intelektualëve tanë që nuk na mbështet, por për fat të mirë zëri i tyre nuk dëgjohet. Ose dëgjohet vetëm nga shqiptarët edhe nga një përqindje e vogël e bashkëkombasve tanë sllav. Por, këtë farë të keqe duhet shfarosur. Se farë më të keqe mbi sipërfaqen e dheut nuk besoj se gjen. Dhe nuk e diti as vet pse i shkuan sytë te librin e të shpërngulurve që ndodhej në raft. E zgjati dorën dhe e mori. E shfletoi. Libri i të shpërngulurve ishte i mbushur me emra shqiptarësh. Shkaqet e atyre shpënguljeve ishin fund e krye të trilluara. Nuk iu durua pa ia hedhur një sy edhe librit të të vdekurve. Edhe aty numri i shqiptarëve printe. Edhe aty shkaqet krejtësisht ishin të rreme. Ishin trilluar lloj-lloj sëmundjesh që t’i përdornin si shkaqe. Te numri më i madh i tyre shkruante vdekje natyrore. Ndër të vdekurit kishte foshnja, shkaku i vdekjeve ishte se ato kanë vdekur gjatë lindjes, ose kishin vdekur menjëherë pas lindjes. Kishte fëmijë, kishte të rinjë, kishte të moshuar. Kishte vdekje të papritura, të parakohshme, sulm në zemër e pa sulm në zemër. ..Ta shoh edhe numrin e lindjeve i tha vetes. Duke shfletuar librin e fëmijëve të lindur, u vrejt në fytyrë. Numri i lindjeve ende ishte i madh, më i madh se ai i vdekjeve. Aty për aty i erdhi mendimi -se edhe përskaj të gjitha këtyre të zezave ata nuk po dorëzohen. Çdo ditë e më shumë bëhen më të fortë në rezistencë. Ne kujtesën e tyre po e mbushim me gjëra të tmerrshme. Kjo herët a vonë do të na hakmerret. Kjo është një gjë shumë e rrezikshme për ne. Na nevojitet një gomë për t’ua fshirë kujtesën. Koha po ecën. Rrethanat po ndryshojnë. Historia ka filluar të punojë për ta. Çfarë do të bëjmë ne, nëse një ditë djallëzitë, falsifikimet, mashtrimet dhe krimet tona do të dalin në shesh…këto mendime janë të dëmshme, nuk kanë vend në kokën time i tha vetes në heshtje, zyrtari i cili ndodhej në zyrë dhe që ishte i ngarkuar me këto punë.
Ndërsa këto biseda po përziheshin në fshat dhe nëpër zyrat e administratës së pushtetit sllav, ditët po ecnin. Ditët po ecnin me shpejtësi. Data e caktuar për nisje po afrohej. Ajo ditë ishte në prag të derës. Edhe një hap e mbërriti. Si ishte ajo ditë? Ajo ditë ishte një ditë e rëndë. Një ditë e mbushur me pikëllim. Ditë ku po lotonte i tërë fshati. Tri familjet që po shpërnguleshin, dolën nga shtëpitë. Ndër ta kishte pleq e plaka. Kishte burra e gra. Kishte djem e vasha që ëndrrat po u këputeshin për gjysmë. Kishte fëmijë të moshave të ndryshme. Kishte nxënës që po ndaheshin nga bankat shkollore. Kishte edhe ndonjë grua që ishte shtatzanë. Në rrugën afër shkollës kishin dalë fshatarët të përshëndetën me ta. Kishin dalur edhe nxënësit me mësuesit nga shkolla, edhe ata për t’u përshëndetur. Pasi u përshëndetën ata u nisën. Fshatin e lanë të tërin në lotë. Rruga me shumë vështirësi po i nxirrte nga fshati. E kthenin kokën prapa. Bënin me dorë. I fshinin lotët. Ata me vete po i merrnin kujtimet. Por edhe shumë kujtime u kishin mbetur në fshat. Njëri nga ata që i përcolli tha me vete: -Pse gjithë ky pikëllim. Ata shkuan pas një jetë më të mirë. Ata shkuan por diellin nuk e morën. Nuk e morën as qiellin. Dielli e qielli mbetën këtu. Edhe toka është këtu.
Mendimi i shumicës ishte se: Ata po shkonin. Po shkonin, por po shkonin pa kthim. Përgjithmonë. Për ngjarjen e asaj dite ishte marrë vendimi para një viti. Ishte folur në heshtje për atë shpërngulje deri para dy javësh. Këto dy javët e fundit ishte bërë e ditur se ato familje kishin vendosur të shkonin. Në Turqi. Kishin bërë përgatitjen. Përgatitje e përcjellur me dhembje e pikëllim. Por edhe të përziera me shqetësim. Pikëllimi ishte pikëllim vëllai, pikëllim motre, pikëllim kushëriri, pikëllim fqinji, pikëllim shoku, pikëllim bashkëkatundari, pikëllim daje, nipi, …… pikëllim shtëpie, pikëllim are. Ishte një pikëllim i degëzuar, dhe dukej se degët e tij preknin qiellin. Një qiell që po bëhej gati për shi. E atë shi, ata do ta ndjenin mbi shpirtin e tyre. Kishin ngarkuar disa plaçka. Do t’i merrnin ato gjëra që mund t’i merrnin.
Kjo ditë ishte ditë e ndarjes. Ishte ditë ku po derdheshin lot. Qanin ata që po shkonin, qanin edhe ata që po i përcillnin. Ishte ditë e ngjashme me një ditë morti. Tërë fshati po i përcillte. Po i përcillte. Sikur t’i përcillnin për në varr. Edhe toka me oborret, rrugët, arat e livadhet e shtrëngonin pikëllimin thellë brenda vetes. Qielli ishte i kthjellët, por pa gëzim. Atë ditë derdhi lot edhe shkolla, nxënësit, bankat, oborri i shkollës, rrugët e fshatit. Derdhi lot edhe kroi i fshatit. Nga oborri i familjes Shabani vinte një zë vajtues i njerëzve. Atë zë vajtues të njerëzve e shoqëronte ulurima vajtuese e një qeni. E njëjta gjë ndodhte edhe në oborret e familjeve tjera që po e merrnin atë rrugë. Shtëpitë kishin mbetur të zbrazëta, pa njerëz. Dritaret e atyre shtëpive ngjanin në sy të verbër të një njeriu që ishin të mbushur me terr e pikëllim. Oborret e atyre shtëpive po përgatiteshin të visheshin me rrobat të qepura nga një heshtjeje trishtuese. Aty do të mbeteshin vetëm hija e një dhembjeje dhe hija e një ulurime vajtuese e një qenit.
– Po shkojmë në Turqi kishte thënë kryeplaku i familjes me vete. Këtu ishte vështirë të jetohet. Vetëm varfëri e skamje. Po na e ngucin edhe fenë. Këtu do të mbeteshim edhe pa fe. E njeriu pa fe është si kafsha. Për fenë islame njeriu duhet të shkojë jo në Turqi, por edhe më larg. Iu kujtuan edhe qortimet që ia kishte bërë mbesës së tij Gj… e cila posa kthehej nga shkolla e hynte në shtëpi, mbyllej në një dhomë dhe qante. Ajo ishte në klasën e gjashtë. Në mësime ishte e shkëqyeshme. Kohët e fundit ishte e shpërqendruar. Sikur nuk ishte e preokupuar më me mësimet. Rrinte e menduar dhe heshtur. Sytë e saj gjithëherë ishin të gatshëm të shpërthenin në lot. Ditët e fundit arsimtarët nuk ia kërkonin detyrat e shtëpisë e as nuk e pyesnin për mësimet. Arsimtari i gjeografisë bisedonte më shpesh me të.
Gj… si duket tani krejt vemendjen dhe interesimin e kishte orientuar kah lënda e gjeografisë. Në orën e gjeografisë ndonjëherë kërkonte të dilte në hartë. T’i gjente e t’i kufizonte shtetet. Një ditë e luti arsimtarin që në hartë ta gjente Turqinë, t’ia tregonte kufirin e saj, t’i shpjegonte diçka më shumë për të. Në shpirtin e saj, pa vullnetin e saj po hynte një hartë me një shtet të ri. Një hartë me një shtet të panjohur deri tash për të, në tokën e të cilit do të kishte një pullaz mbi kokë. Do të kishte një oborr për lojën e saj. Atje ku duhet të hante e të pinte. Atje ku duhej të jetonte. Ishte ajo hartë me tokë tjetër dhe që fliste një gjuhë tjetër. Ishte një hartë me një popullsi tjetër. Edhe qielli e dielli kishin një pamje tjetër. Harta e atij vendi po e ndiqte. Po e ndiqte edhe në ëndërr. Shpesh ndodhte që harta papritmes të zhdukej. Ajo qetësohej. Harta futej në një mjegull të dendur por, pas një kohe, padiktueshëm, dilte. Dilte por e shndërruar në ujk. Ujk nga i cili frikësohej se do ta hajë. Harta-ujk po i paraqitej edhe në ëndërr.
Gj… shpesh zgjohej nga gjumi plot ankth. Ankth nga i cili nuk lirohej me netë të tëra. Ishte ëndërr apo realitet? Apo ishte edhe ëndërr edhe realitet. Kur ishte një ëndërr tmerrohej prej saj. Por kur i dilte gjumi thonte me vete-mirë që qenkam në ëndërr. Nuk e donte as si ëndërr, por si realitet jo se jo. Por edhe si ëndërr nuk durohej. Po e ndiqte. Po e ndiqte si ujku që i ndjek delet. Përpiqej të ikte. Të ikte por ku të shkonte? Donte të bëhej zog e të ikte qiellit. Të hynte sa më thellë në kaltrinë e tij. Të fshihej. Të pushonte. Të ndërtonte një çerdhe. Por, ja që harta-ujk po e ndiqte. Harta zmadhohej e zgjerohej dhe shndërrohej në një çarçaf. Ai qiell çarçaf e kapte. E mbështillte. E fuste në grusht e ia këpuste flatrat. Nuk mund ta hiqte mendjen prej saj. Ishte shumë e preokupuar me këtë hartë. Kishte shumë dëshirë që të lirohej nga ajo. Të ikte. Sa më larg prej saj. E të kthehej në tokë. Në oborrin e shtëpisë së saj. Të kthehej e të ngopej me pamjet e fshatit. Fytyra e fshatit iu duk e bukur si asnjëherë më parë. Në atë fytyrë rrinin bukur vuajtjet dhe buzëqeshjet e fshatarëve. Loja me shoqet. Mësuesit. Rrugët e fshatit. Shtëpitë e fshatit. Bagëtia e fshatit. Tingujt e këmbonave të bagëtisë. Dielli, qielli. Shkolla me oborrin e saj. Xhamia. Shiu, bora. Era. Edhe fytyra e lokës këtyre ditëve iu duk ndryshe, rrudhat sikur po i shtoheshin me shpejtësi. Iu kujtuan fjalët e saj kur i kishte thënë se vendi ku lind njeriu është i shenjtë. Kurrë nuk do të ndalen ëndrrat për të. Ëndrrat për vendlindjen kurrë nuk sosen-kishte thënë ajo. Dhe mendimet iu mbështollën nga një mjegull. Fjalët e Lokes u bënë qengja. I lëshoi livadheve. Ato ishin livadhet e imagjinatës sepse nuk vonoi shumë e harta-ujk, ia hangri.
Kishte kohë që arsimtari i gjuhës, Gj… nuk e shqetësonte më me bisedë rreth shpërnguljes. Nuk e prekte në këtë plagë, sepse iu duk se çdo gjë kishte marrë fund. E ndiente veten fajtor se i dukej që shpejt ishte dorëzuar. Por, mjaft i kishte shkaktuar dhembje, mjaft më me biseda të cilat kishin shkatuar vajë e lot. Shpesh kishte ndodhur që gjatë bisedës rreth kësaj teme Gj… kishte shpërthyer në vajë e nuk ishte ndalur tërë ditën. Nuk ishte ndalur. Edhe pasi kishte shkuar në shtëpi, kishte qarë. Shpesh kishte ndodhur që gjatë orës së mësimit, në klasë s’bashku me Gj…. , kishte qarë edhe arsimtari, kishin qarë edhe tërë nxënësit. Dhe arsimtari kishte hequr dorë nga krijimi i gjendjeve të tilla. Ditën e parafundit, si edhe ditët tjera, arsimtari shkoi në klasë. Nuk foli asgjë. Klasën e kaploi heshtja. Shikimi i tij në heshtje bëri një shëti nëpër fytyrat e nxënësve. Shikimi iu ndal në bankën e Gj…, te Gj… . … Gj… u ngrit në këmbë dhe shpërtheu në vajë. Arsimtari mezi nxori nga goja … pra, sot është dita e fundit …… që Gj … ,deshi të vazhdojë të flasë por nuk mundi. Por vetes i tha: -Kjo klasë që nga dita e nesërme nuk do ta ketë Gj… Karrigia a saj do të mbetet e zbrazët. Banka do të mbetet e pikëlluar dhe e zbrazët. Çdo gjë që i ka takuar asaj do të mbetet këtu. E mërzitur dhe e zbrazët. Shfletoi ditarin. E kërkoi emrin e Gj… E gjeti. Emri i saj iu duke kishte ndryshuar. Ishte i mërzitur. Sa shpejt kishte ndodhur ndryshimi. I shikoi notat e saj. Notat të gjitha pesa. Edhe notat iu dukën se po lotonin. Notat, mendoi t’ia jepte me vete. Por një gjë e tillë ishte e pamundur. Duhej të shkyhej fleta e ditarit, me emrin e Gj… . Kjo ishte e pamundur. Mbylli ditarin dhe e hapi çantën e tij. Nga çanta nxorri romanin e Nazmi Rrahmanit ,,Toka e përgjakur” e ia dha Gj …-merre i tha. Merre si kujtim nga unë arsimtari yt i Gjuhës dhe i Letërsisë. Lexoje ti, dhe shpjegoja edhe gjyshit. Por, pasi ia dha arsimtari librin, sikur u pendua. Ia dhash tha, -por nuk e di a bëra mirë? ,,Toka e përgjakur”. Mund të thotë dikush, se pikërisht prej tokës së përgjakur jemi duke ikur. Se në Tokën e përgjakur nuk jetohet. Por si qëndron çështja me tokën. Me tokën e përgjakur? Ndoshta toka e përgjakur ka më shumë vlerë. Në çdo vend në rruzullin tokësor ka tokë të përgjakur. Dhe jo vetëm të përgjakur por edhe të larë me gjak. Nëse dikund ka mbetur ndonjë copë tokë e papërgjakur, me dëshirën tonë apo pa dëshirën tonë edhe ajo do të përgjaket. Mund të përgjaket vetëm pse i teket dikujt. Dhe i tillë është fati i tokës. Është e pamundur të shpëtojë edhe një pëllëmbë toke pa u përgjakur. Se toka ka etje për gjak. Këtë etje duhet t’ia shuaj njeriu. T’ia shuaj me gjak. Gjak njeriu. Dhe për këtë arsye toka është e shtrenjtë. Dikush mund ta vlerësojë edhe më të shtrenjtë se gjakun e njeriut. Dhe si do të dukej toka e ngjyrosur me gjak e pa njerëz? Tokë e mirë pa njerëz? Sepse toka i ka ngrënë njerëzit! Arsimtari mendoi edhe njëherë për efektet e këtij libri. Do të ishte i dobishëm apo i dëmshëm. Ndoshta plagët që i kishte kjo familje, plagët në shpirt, nuk do t’i linte t’i shëroheshin. Të mos e lësh plagën të shërohet, a nuk është mëkat? Mëkat është. Mëkat. Edhe ate, ndër mëkatet më të rënda.
Gj… ishte e zgjuar. Ishte e vogël. Ishte edhe bukur. Më e bukur se një ditë pranvere. Ajo qysh në këtë moshë do të ketë tërhequr vëmendjen e pleqëve, që kur të rritej ta merrnin nuse për nip. Por, prej asaj dite ato plane u prishën. Ajo më kishte shkuar. Këtu kishte mbetur vetëm hija e kujtimeve për të. Tani Gj.. kishte shkuar në një vend tjetër. Dhe me vete i kishte marrë kërrabëzat me të cilat, atje do të thurte ëndrra të reja. Ato ëndrra do të bëheshin bimë e një toke tjetër. Do të rriteshin në një tokë tjetër. Fëmija është krijesë interesante. Adaptohet shumë shpejt edhe në vend tjetër. Ata do të shkojnë pas ëndrrave të reja, pas dëshirave që ndoshta ajo tokë atje do t’ia plotësojë. E fjala e lokes se: ëndrrat për vendlindjen nuk do të sosen kurrë, do t’i duken se nuk janë të vërteta. Ato do të sosen. Do të sosen shumë shpejt…
Arsimtari mundohej ta përfytyronte Gj… në klasë. Të ulur në bankën e saj, duke bërë hartim nga Gjuha shqipe. Hartimet që i shkruante ajo, të mahnisnin. Por, jo, Gj… nuk ishte. Kishte kohë që kishte shkuar në Turqi. Premtimin se do të na dërgonte letra e kishte harruar. As letra nuk po na dërgonte. Arsimtari kishte një ide, që pasi të marrin letër nga ajo, t’ia dërgonte hartimet. Por, ajo letër nuk kishte dërguar. Dhe ku t’i dërgonim hartimet. Pa adresë. Pra, dërgesa e hartimeve ishte e pamundur. E hartimet si do të rrinin pa Gj… Janë pjesë e shpirtit të saj. Por një gjë nuk dihej. Hartimi dhe Gj… ishin ndarë. Ishin ndarë por nuk dihej se si ishin ndarë. Ndoshta në momentin e ndarjes kishin pasur mospajtime. Ishin zënë e ishin grindur dhe nga ai çast, mund të ishin armiqësuar dhe të mos komunikonin më në mes veti. Por sido që të jetë, arsimtari do ta respektoj vullnetin e hartimit. Nëse ai do që të shkojë te Gj., mirë, le të shkojë. Nëse nuk do, arsmtari nuk do të bënte përpjekje ta bind. Hartimi e ka unin e tij. Mund të vendos i pavarur. Mund të veprojë i pavarur. Sido që të vendos e ka përkrahjen time-thonte. Nëse vendos të rrijë, mirë bën. Le të rrijë. Le të rrijë në vendin ku ka lindur. Është vendlindja e tij. Krejt ajo që ndodhet brenda hartimit është e këtij vendi. Edhe gjuha edhe shkronjat. Gjithashtu edhe stina e pranverës që ndodhet në hartimet e saj, është e këtij vendi. Sikur që janë të këtij vendi edhe zogjtë me këngën e tyre. Ky vend i lindi. Ta vazhdojnë jetën dhe këngën këtu. Të këndojnë për këtë vend. Hartimi është pjesa më e bukur e shpirtit të Gj. Dhe ajo pjesë ka mbetur këtu. Prandaj i duhet këtij vendi. Arsimtari gjatë kohë kishte menduar për atë shpirt të ndarë në dy pjesë. Gjykimet, vlerësimet dhe analizat e kishin drejtuar te konkludimi se ato dy gjysma të shpirtit kanë nevojë të takohen. Dhe për këtë takim ai personalisht do të angazhohej. Dhe donte që ato dy pjesë të një shpirti t’i shihte në përqafim. Dhe dy pjesët e atij shpirti të bashkuara e të bëra një. Donte t’i shihte duke biseduar. Duke iu rrëfyer njëra tjetrës. Duke derdhur lot. Duke u çmallur. Duke qeshur. E pastaj të bashkuar në një, sikur që kishte lindur një i plotë, të vendosin për vendin ku do të vendoseshin përjetësisht.