Integrimi në BE, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton raportin e vitit 2025 për Shqipërinë

Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian miratoi këtë të martë raportin e vitit 2025 për Shqipërinë, i cili do t’i kalojë për miratim seancës plenare.

Raporti i hartuar nga Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, mori 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, ndërsa theksohet nevoja për reforma më të thella dhe të qëndrueshme.

“Shkurtimisht, dua së pari të falënderoj të gjithë raportuesit në hije për negociatat shumë efikase, konstruktive dhe të suksesshme. Së dyti, dua të nënvizoj se Shqipëria konsiderohet gjithashtu nga Komisioneri ynë si një nga dy vendet kryesuese në procesin e zgjerimit. Këtë jemi përpjekur ta pasqyrojmë edhe në këtë raport, por përtej çështjeve të trajtuara në raportin e Komisionit, kemi dashur të theksojmë edhe disa elemente të tjera—konkretisht që reformat duhet të reflektohen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Dhe veçanërisht, jemi përpjekur të vendosim fokus edhe te situata sociale në Shqipëri”, tha Schieder.

Sipas raportit, theksohej se objektivi që vendi të jetë gati për anëtarësim në 2027-t është i mundur. Megjithatë, nënvizohet se Shqipëria duhet të kapërcejë polarizimin e brendshëm politik dhe të përmirësojë kulturën politike.

Në të evidentohet se nuk janë trajtuar rekomandimet e OSBE për Reformën Zgjedhore, ndërsa përmenden shqetësime për mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve.

Reforma në drejtësi është gjithashtu një nga aspektet e vlerësuara, si edhe procesi i vettingut, por thuhet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe rekomandohet që Shqipëria të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.

Lufta kundër korrupsionit, thotë raporti është thelbësore dhe duhet rezultat për hetimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të niveleve të larta.

Raporti vendos një theks të veçantë edhe te reformat socio-ekonomike dhe përfitimet që duhet të kenë të gjitha segmentet e popullsisë. “Dobësi strukturore, përfshirë informalitetin, rritjen e kufizuar të produktivitetit dhe një mjedis sfidues biznesi”, veçon raporti duke shtuar edhe se nuk ka progres në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Në të vlerësohet progresi në reformën e administratës publike, por thekson se “nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar rekrutimin mbi bazë meritore dhe depolitizimin e shërbimit civil.”