Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë zhdukur në Marokun jugperëndimor, pasi morën pjesë në stërvitjet ushtarake shumëkombëshe vjetore në vendin e Afrikës së Veriut.
Kështu njoftoi Komanda Amerikane për Afrikën duke nënëvizuar se Shtetet e Bashkuara, Maroku dhe vende të tjera që marrin pjesë në stërvitjen “Luani Afrikan” kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi.
“Incidenti është ende nën hetim dhe kërkimi është duke vazhduar”, thuhet në deklaratë.
Ushtria marokene raportoi se incidenti ndodhi të shtunën rreth orës 9 të mbrëmjes, pranë zonës së stërvitjes Cap Draa pranë Tan Tan, pranë Oqeanit Atlantik.
Terreni është malor, një përzierje shkretëtire dhe fushash gjysmë-shkretëtirore.
Stërvitjet ushtarake filluan në prill dhe po zhvillohen në katër vende: Marok, Tunizi, Ganë dhe Senegal. Ato janë planifikuar të përfundojnë në fillim të majit.



