Në kuadër të projektit tre-mujor “Promovimi i Vlerave Humane”, i cili realizohet nga Kryqi i Kuq, këtë vit në Tetovë janë angazhuar 39 vullnetarë të rinj, të cilët po punojnë në iniciativa të ndryshme humanitare. Një nga projektet më domethënëse është realizuar në shkollën “Liria” në Tetovë, ku është krijuar një hapësirë senzore për fëmijët me nevoja të veçanta, shkruan Portalb.mk.
Profesoresha Zulejha Fidani për Portalb.mk tha se ky projekt lindi nga nevoja për t’u krijuar fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollën ‘Liria’ një hapësirë më të përshtatshme, më të ngrohtë dhe më mbështetëse për zhvillimin e tyre.
“Ideja për këtë projekt lindi nga nevoja konkrete që identifikuam në shkollën “Liria” për të krijuar një hapësirë të përshtatshme për fëmijët me nevoja të veçanta. Si sociologe dhe mësimdhënëse e lëndës së Arsimit qytetar, jam e fokusuar në përfshirjen sociale, barazinë dhe mirëqenien e komunitetit. Gjithashtu, angazhimi im si diseminatore shqiptare në Tetovë në PHV dhe Kryqin e Kuq më ka motivuar të ndërmarr iniciativa me ndikim humanitar. Kjo më shtyu të nis këtë projekt, me qëllim krijimin e një ambienti senzorial që ndihmon zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, deklaroi Fidani.
Ajo shtoi se si mentore ka pasur rol të rëndësishëm në gjithë procesin.
“Si mentore, kam pasur rol udhëheqës dhe mbështetës gjatë gjithë procesit. Kam organizuar dhe koordinuar punën e nxënësve, duke filluar nga planifikimi i projektit, ndarja e detyrave, sigurimi i materialeve, deri te realizimi i dhomës senzore. Duke u mbështetur edhe në profesionin tim si sociologe dhe në përmbajtjet e Arsimit qytetar, kam nxitur te nxënësit vlera si solidariteti, empatia dhe përgjegjësia sociale. Kam qenë pranë tyre në çdo hap, duke i motivuar të bashkëpunojnë dhe të japin më të mirën e tyre”, tha Fidani.
Sipas saj, ndikimi i projektit ka qenë i shumëfishtë:
“Ky projekt ka pasur një ndikim shumë pozitiv. Nxënësit kanë zhvilluar ndjeshmëri më të madhe sociale, empati dhe aftësi për punë në grup, duke e parë në praktikë rëndësinë e përfshirjes dhe ndihmës ndaj të tjerëve, vlera që lidhen drejtpërdrejt me Arsimin qytetar. Për komunitetin, krijimi i dhomës senzore është një kontribut konkret në mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre. Sa i përket së ardhmes, po, planifikojmë vazhdimin e projekteve të tilla, duke synuar zgjerimin e aktiviteteve dhe krijimin e iniciativave të reja që forcojnë përfshirjen sociale dhe bashkëpunimin në komunitet”, theksoi Fidani.

Nxënësja Elif Dava, pjesë e grupit vullnetar, për Portalb.mk, tregoi për organizimin dhe realizimin e projektit.
“Projekti, i ardhur nga Shkupi, përzgjodhi profesoreshën tonë Zulejha Fidani si diseminatore të degës në Tetovë, ndërsa si minimentorë u zgjodhën nxënësit që paraprakisht kishin qenë pjesë e Kryqit të Kuq, veçanërisht në projektin PVH – Promovimi i Vlerave Humane. Gjatë një prej punëtorive tona, u ndamë në pesë ekipe, ku secili ekip kishte për detyrë realizimin e një projekti të veçantë. Grupi ynë, i fokusuar në qendra dhe institucione, krijoi projektin ‘Një ditë ndryshe për ta’, me synimin për të kontribuar për fëmijët me nevoja të veçanta. Çdo vullnetar kishte rol të caktuar, duke filluar nga hulumtimi, organizimi, sigurimi i materialeve dhe realizimi praktik në terren”, tha Dava.
Ajo shtoi se puna ka nisur me hulumtim dhe më pas me ndërhyrje konkrete në hapësirë.
“Fillimisht realizuam hulumtim në terren, ku pamë nga afër gjendjen e dhomës dhe identifikuam mungesat e pajisjeve dhe materialeve të nevojshme për zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve. Pas kësaj, vendosëm të ndërmarrim hapa konkretë duke filluar nga pastrimi i hapësirës, lyerja me polikolor, pikturimi i muraleve, blerja e tepihëve prej gome, materialeve të punës dhe dhuratave për fëmijët. Krahas renovimit fizik të hapësirës, organizuam edhe punëtori të ndryshme me fëmijët, duke e bërë projektin jo vetëm një investim në ambient, por edhe një përvojë të dobishme dhe të gëzueshme për ta”, tha Dava.
Sipas saj, bashkëpunimi me institucionet dhe partnerët ka qenë kyç për suksesin e arritur.
“Koordinimi me institucionet dhe partnerët ka qenë një proces i rëndësishëm, por falë bashkëpunimit të mirë ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Hulumtimi ynë filloi përmes sektorit për veprimtari publike, i cili na orientoi drejt vendit ku ndihma jonë ishte më e nevojshme. Ky bashkëpunim na ndihmoi të kemi një drejtim më të qartë dhe mbështetje gjatë gjithë realizimit të projektit. Po ashtu, rol të pazëvendësueshëm kanë pasur edhe donatorët, të cilët e mbështetën idenë tonë duke parë vlerën dhe rëndësinë e saj, gjë që e bëri të mundur realizimin me sukses të të gjitha aktiviteteve të planifikuara”, potencoi Dava.
Ky projekt konsiderohet si një shembull i mirë i angazhimit të të rinjve në shërbim të komunitetit, duke promovuar vlerat humane, solidaritetin dhe përfshirjen sociale.






