Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se do të rrisë tarifat për veturat dhe kamionët që importohen nga Bashkimi Evropian në 25%.
Presidenti amerikan akuzoi BE-në se “nuk po respekton marrëveshjen tregtare”, në një postim në platformën Truth Social, pa dhënë detaje të mëtejshme për shkeljet e pretenduara.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se… javën e ardhshme do të rris tarifat ndaj Bashkimit Evropian për veturat dhe kamionët”, shkroi Trumpi të premten.
Aktualisht, niveli i tarifave për mallrat që hyjnë në SHBA nga BE është 15%, sipas një marrëveshjeje të arritur korrikun e kaluar. Kjo marrëveshje, e negociuar në resortin e Trumpit në Skoci, përcaktonte tarifa prej 15% për shumicën e produkteve evropiane.
Marrëveshja u konsiderua si lehtësim për BE-në, pasi shmangu tarifat prej 30% që Trumpi kishte kërcënuar t’i vendoste në kuadër të valës së tarifave të quajtura “Dita e Çlirimit” në prill.
Në këmbim, Evropa ishte zotuar të investonte në SHBA dhe të bënte ndryshime që pritet të rrisnin eksportet amerikane.
Megjithatë, tensionet u rritën pasi Trumpi kërcënoi me aneksimin e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës. Si pasojë, Parlamenti Evropian në janar pezulloi miratimin e marrëveshjes.



