Gjermania tejkalon SHBA në prodhimin e municioneve

Gjermania ka kaluar Shtetet e Bashkuara në kapacitetin e prodhimit të municioneve, sipas drejtuesit të gjigantit të mbrojtjes Rheinmetall.

Drejtori ekzekutiv Armin Papperger bëri të ditur se kompania ka më shumë se katërfishuar prodhimin vjetor të municioneve me kalibër të mesëm dhe ka rritur ndjeshëm prodhimin e predhave të artilerisë në rreth 1.1 milion njësi, nga vetëm 70 mijë më parë.

Ky zhvillim vjen në një moment kur vendet evropiane po përshpejtojnë përpjekjet për të rimbushur rezervat ushtarake dhe për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes.

Presioni për rritjen e shpenzimeve ushtarake është shtuar sidomos pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar nga vendet e NATO-s të mbështeten më pak te SHBA dhe të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.

Për dekada me radhë, Evropa është mbështetur në kapacitetet ushtarake amerikane, por ndryshimet gjeopolitike dhe fokusi i SHBA-ve drejt rajonit Indo-Paqësor po e shtyjnë kontinentin drejt një autonomie më të madhe në fushën e mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, zhvillimet në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme kanë rritur kërkesën për municione dhe kanë nxitur investime të mëdha në industrinë ushtarake evropiane.