SHBA-të kanë shpenzuar 25 miliardë dollarë për luftën në Iran, thotë një zyrtar i mbrojtjes

Ushtria amerikane ka shpenzuar afërsisht 25 miliardë dollarë për luftën me Iranin që nga fillimi i saj në fund të shkurtit.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, u tha zyrtari më i lartë financiar i Pentagonit ligjvënësve të mërkurën.

Siç theksohet më tej, shumica e këtyre shpenzimeve është për municione, por një pjesë e tyre është për mirëmbajtje dhe zëvendësim të pajisjeve, tha Jules “Jay” Hurst para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kostoja e saktë e luftës “u ka shpëtuar ligjvënësve” dhe është bërë gjithnjë e më shumë një çështje politike, ndërsa Kongresi shqyrton kërkesën e Presidentit Donald Trump për buxhetin e mbrojtjes prej 1.5 trilion dollarësh për vitin fiskal 2027.

“Jam i lumtur që iu përgjigjët kësaj pyetjeje, sepse ne kemi kërkuar për një kohë shumë të gjatë dhe askush nuk na ka dhënë numrin”, ka thënë përfaqësuesi Adam Smith, demokrati më i lartë në komision, në përgjigje të Hurst.

Sipas CNN, trembëdhjetë anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan janë vrarë deri më sot në luftë, e cila aktualisht është subjekt i një armëpushimi të brishtë.

Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, kritikoi ashpër kundërshtimin ndaj luftës së vazhdueshme me Iranin gjatë një seance dëgjimore në Kongres sot, duke i përshkruar ligjvënësit që kritikojnë administratën si “kundërshtarët më të mëdhenj”.

“Sfida më e madhe, kundërshtari më i madh me të cilin përballemi në këtë pikë janë fjalët e pamatura, të paepura dhe disfatiste të demokratëve të Kongresit dhe disa republikanëve”, tha Hegseth në seancën dëgjimore, e cila shënon herën e parë që ai dëshmon para Kongresit që nga fillimi i luftës.

Ai vazhdoi duke theksuar se kritikat vijnë ndërsa konflikti ka arritur në dy muaj, duke argumentuar se ka qenë dukshëm më i shkurtër se luftërat në Irak, Afganistan dhe Vietnam.

“Jemi krenarë për këtë sipërmarrje”, shtoi Hegseth.