Një roman me thurje magjike dhe primesa mitike

(Vështrim mbi romanin më të ri “Misteret e Hamamit” të autorit tetovar, Ismail Arsllani)

Gëzim SULEJMANI

Romani i radhës, “Misteret e Hamamit”, i autorit të mirënjohur tetovar Ismail Arsllani, që doli këtyre ditëve nga shtypi, pas tre romaneve të tij të mëparshëm, është i lidhur ngushtë me historinë dhe legjendat e një Kasabaje. Në qendër të veprës vendoset Hamami i pesë kubeve, një monument që ruan kujtesën e kohërave të shkuara. Edhe pse për hamamin nuk kemi shumë fakte historike, ky objekt sakral shndërrohet në një metaforë qendrore letrare. Këtu përzihen e vërteta, kujtesa dhe miti, thotë ndër të tjera, në vështrimin e saj, shkrimtarja Merita Sh. Abazi.

Romani është i shkruar me një gjuhë poetike dhe të ngjeshur figurativisht, ku metaforat dhe simbolet e çojnë prozën drejt lirikes. Historia, legjenda dhe miti ndërthuren, duke krijuar një mozaik ku e vërteta dhe e përfytyruara ecin krah për krah. Mesazhi i tij është i qartë: pushteti i dhunës, mashtrimi dhe hipokrizia mund të sundojnë përkohësisht, por nuk mund ta shuajnë kurrë zërin e së vërtetës.

Romani “Misteret e Hamamit” i Ismail Arsllanit është një testament letrar që bashkon historinë, kujtesën, legjendën dhe mitin. Ai nis me Hamamin e kasabasë së Tetovës, kalon përmes figurave të Bahri Beut, Kryehyjnorit, Lozhës Hyjnore, Hyrijes, Rudit, dhe kulmon me tragjedinë e Agshës dhe lindjen e Zërijetës.

Ndër protagonistët kryesorë është edhe Dardani, shoku i hershëm i Agshës, i lidhur me të që nga fëmijëria. Kjo lidhje e hershme kthehet më vonë në një dashuri të thellë, e të qëndrueshme. Përmes tij, romani jep një dritë njerëzore në errësirën e ngjarjeve: aty ku Agsha është e goditur nga dhuna, nga turpi dhe nga fati tragjik, kujtohet se gjithmonë ka ekzistuar dikush që e ka dashur pa kushte.

Përdorimi i përrallave, legjendave dhe miteve, përmes gjuhës, e bën tekstin të ketë një tingull të veçantë, të afërt me moralin. Gjuha e tij është e dyfishtë: njëkohësisht e kasabasë së mbyllur dhe e botës së hapur, kjo e bën romanin të veçantë. Një element i pashmangshëm i romanit është fjalori dhe gjuha e Ismail Arsllanit. Ai përdor një fjalor të ngjeshur, të pasur me orientalizma, me terma të jetës së kasabasë.

Në tërësi, romani paraqitet si një rrëfim i pasur historik dhe kulturor, ku misteri, dashuria, identitetit dhe tradita ndërthuren për të krijuar një univers narrativ të thellë dhe emocional, thotë letrari Nebi Jusufi Vela, në një vështrim të tij mbi këtë roman.

“Misteret e Hamamit” i autorit Ismail Arsllani është një rrëfim për plagët e shpirtit, për rebelimin kundër fatit dhe për guximin e një gruaje që zgjedh të përballet me botën, kokën lart. Në roman pasqyrohet një kasaba, ku intrigat, lozhat e fshehta dhe pushteti i errët lëvizin në prapaskenë, ndërsa fatet e njerëzve ndërthuren si fijet e një qilimi të vjetër oriental, si dhe sajohen sekrete që mund të rrëzojnë një botë të tërë.