Biljana Angellova u rizgjodh rektore e UKM-së

Biljana Angellova është rizgjedhur Rektore e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Stafi mësimor dhe shkencor i secilës njësi brenda UKM dje (28 prill) nga ora 12:00 deri në orën 14:00, me votim të fshehtë zgjodhi midis dy kandidatëve për Rektor të ri – Biljana Angellova dhe Darko Danev, transmeton Portalb.mk.

“Sipas rezultateve të paraqitura nga komisionet zgjedhore (KZ), nga votimi i drejtpërdrejtë dhe i fshehtë i njësive brenda Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Rektore për mandatin nga 16 shtatori 2026 deri më 15 shtator 2029 është zgjedhur Prof. Dr. Biljana Angellova, profesoreshë e rregullt në Institutin e Ekonomisë në Shkup”, thuhet, ndër të tjera, në Vendimin e Komisionit.

Mandati i Rektorit zgjat 3 vjet, duke filluar nga 16 shtatori 2026 dhe duke përfunduar më 15 shtator 2029.

“Të drejtat dhe detyrimet e Rektorit përcaktohen me Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin dhe aktet e tjera të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e miratimit të tij”, shtohet në Vendim.

Kundër këtij Vendimi dhe Procesverbalit, kandidatët e pakënaqur mund të paraqesin kundërshtim në përputhje me Nenin 182 të Statutit të UKM-së në Komisionin Zgjedhor të Universitetit në formë elektronike jo më vonë se 4.5.2026.

Angellova, siç thuhet në Procesverbal, fitoi 2924.125 pikë, ndërsa Darko Danev, profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup, fitoi 2675.875 pikë.

Votimi u zhvillua në 23 fakultete dhe pesë institute brenda UKM-së.

Votimi filloi dhe përfundoi në kohën e caktuar, dhe sipas procesverbaleve dhe raporteve të dorëzuara të Komisioneve Zgjedhore të njësive, nuk u gjetën parregullsi ose probleme.

Sipas Listave Zgjedhore të njësive, ishin regjistruar gjithsej 1.434 votues, thuhet në procesverbal.

Në ditën e votimit, 1.286 anëtarë të Këshillave Mësimore-Shkencore/Shkencore/Mësimore-Shkencore dhe Artistike votuan për zgjedhjen e rektorit. Pas votimit, 148 fletëvotime ishin të papërdorura dhe 59 ishin të pavlefshme.

Programet e punës së dy kandidatëve për rektor dhe të dhënat e tyre biografike dhe bibliografike u publikuan në faqen e internetit të UKM-së të martën e kaluar.