Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta zgjedhin presidentin dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme.
Në mungesë të kuorumit, nuk është zgjedhur presidenti. Në seancat që u mbajtën për zgjedhje të presidentit ishin prezentë vetëm deputetë të pushtetit, por jo edhe të opozitës.
E marta ishte dita e fundit, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për ta zgjedhur presidentin.
Sipas vendimit, duhet të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme jo më vonë se 45 ditë.
Këto do të jenë zgjedhjet e pesta që nga viti i kaluar.
Seanca për zgjedhjen e presidentit nisi të hënën, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën si kandidate, në mungesën e arritjes së një marrëveshje. Ndonëse nuk pati 80 votat e nevojshme, u mbajt raundi i parë i votimit, ku Rushiti mori 63 vota e një u shpall e pavlefshme. Pati reagime të shumta, duke e quajtur antikushtetuese.
Seanca u shty për të martën në ora 10:00. E u shty sërish për në ora 14:00, 19:00 dhe e fundit u mbajt në ora 23:00.
Mes këtyre seancave janë mbajtur konferenca për media si nga pushteti ashtu edhe nga partitë opozitare, që kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën.
Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur sjelljen e opozitës si joshtetërore dhe anti-institucionale.



