Kasami angazhohet për bashkëpunim me shoqërinë civile për ruajtje të ambientit në Tetovë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të strukturave të komunës me shoqërinë civile në shërbim të ruajtjes së ambientit në komunë.

“Besoj fuqishëm se vetëm përmes bashkëpunimit mes institucioneve dhe shoqërisë civile mund të arrijmë rezultate të qëndrueshme dhe afatgjata,” tha përmes Facebook ai, pas pjesmarrjes në në forum për këtë temë të organizuar nga OJQ ‘Multikultura”.

Kasami tha se autoritetet komunale kanë themeluar një sektor të veçantë për mjedis dhe energji në kuadër të Komunës së Tetovës për këtë qëllim.

“Ky sektor do të jetë një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e politikave më efikase dhe për planifikim më të mirë për të ardhmen e qytetit tonë,” shkroi ai.

“Angazhimi im mbetet i qartë, të ndërtojmë institucione funksionale, transparente dhe të përgjegjshme për qytetarët. Ndërsa bashkëpunimi me organizatat, ekspertët dhe qytetarët do të jetë gjithmonë në qendër të punës sonë!,” tha Kasami.