Kadriu: Nëse preket Neni 23 i Ligjit për Gjuhët, zhbëhet përdorimi zyrtar i shqipes

Gjyqtari kushtetues Osman Kadriu, në një intervistë për Alsat, ka ngritur shqetësimin se çdo ndërhyrje në Nenin 23 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve mund të ketë pasoja serioze për statusin e shqipes si gjuhë zyrtare. Sipas tij, nëse ky nen shfuqizohet, atëherë rrezikohet zhbërja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

“Nëse preket Neni 23 i ligjit, i cili ka të bëjë me harmonizimin e ligjit me ligjet tjera, atëherë përdorimi zyrtar i shqipes do të zhbëhet”, deklaroi Kadriu.

Ai theksoi se kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet të lartë institucional dhe politik, duke e cilësuar si një nga pikat kyçe që prek drejtpërdrejt të drejtat kolektive të shqiptarëve në vend.

Në intervistë, Kadriu u ndal edhe te nevoja për ndryshime kushtetuese, duke u bërë thirrje partive politike shqiptare që të ushtrojnë presion për hapjen e Kushtetutës, me qëllim korrigjimin e çështjeve me interes shqiptar.

“E domosdoshme do të jetë që subjekti politik shqiptar, edhe në opozitë, të bëjë presion që të hapet Kushtetuta. Për hapjen e Kushtetutës”, tha gjyqtari Osman Kadriu në intervistën për Alsat.

Sipas tij, partitë shqiptare duhet të kenë një qasje më të koordinuar dhe më këmbëngulëse në raport me temat që prekin pozitën kushtetuese dhe politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Kadriu foli edhe për preambulën e Kushtetutës, duke theksuar nevojën për riformulimin e saj, pasi sipas tij formulimi aktual i definon shqiptarët në mënyrë të papranueshme. Ai kritikoi përdorimin e formulimit “pjesë e popullit”, duke argumentuar se një definim i tillë krijon perceptim të gabuar për statusin historik dhe shtetformues të shqiptarëve.

“Në preambulë definohet ‘shqiptarët pjesë e popullit’, siç i përmendin edhe të gjithë etnikumet tjera, ‘pjesë e popullit’… Kjo, ju lutem, aludon në një situatë dhe tezë shumë të rrezikshme që flet se ne si pjesë e popullit, domethënë rastësisht kemi ndodh dhe jetojmë në Maqedoni, qiraxhinj me qenë këtu se kemi dalë prej shtetit tjetër, e kemi gabuar rrugën, jemi futur në Maqedoni dhe këtu jetojmë. Ne nuk jemi këtu qiraxhinj dhe nuk jemi pjesë e popullit, ne jemi vendas këtu”, deklaroi Kadriu.

Ai vlerësoi se rishikimi i këtij formulimi nuk është vetëm çështje simbolike, por lidhet me definimin e barazisë reale dhe të pozitës së shqiptarëve si element shtetformues.

Deklaratat e gjyqtarit kushtetues Osman Kadriu vijnë në një moment kur debati për të drejtat gjuhësore dhe ndryshimet kushtetuese vazhdon të mbetet pjesë e diskursit politik në vend. Sipas tij, mbrojtja e statusit të shqipes dhe korrigjimi i dispozitave kushtetuese janë çështje që kërkojnë angazhim të përbashkët politik dhe institucional.