Një rrahje masive mes dy bandave ‘KM-Firm’ nga veriu i Mitrovicës dhe ‘Delije’ nga Zveçani, ka ndodhur të premten pas mesnatës në rrugën “Mbreti Petër”, në veri të Mitrovicës, ku janë përdorur armë të ftohta, mjete të forta dhe gurë, ndërsa shumë prej pjesëmarrësve janë lënduar, disa prej të cilëve kanë kërkuar trajtim në spital.
Në vendin e ngjarjes janë parë numër i madh i policëve, duke përfshirë edhe pjesëtarë të NJRSH-së, si dhe autoambulanca nga spitali i veriut të Mitrovicës.
Sipas këtyre burimeve, autorët e këtij incidenti janë vëllezërit Danijell dhe Marko Gjukiq nga Zveçani, të njohur si narko-bosë në veri.
Burimet më tej kanë shtuar se falë njësiteve policore të stacionineve veri i Mitrovicës dhe atij Zveçan, të cilët janë vënë shumë shpejtë në kryerje të detyrës për të parandaluar eskalimin e situatës, është evituar ndonjë viktimë.
Dyshohet se motivi i mundshëm i kësaj rrahje është konflikti i interesit mes grupeve.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar ngjarjen.
“Nuk kemi informacione për grupe. Rrahja ka qenë masive, ndërsa policia ka reaguar menjëherë. Një polic ka marrë lëndime të lehta trupore. Personi me inicialet M.Gj. është arrestuar dhe i është caktuar paraburgimi për 48 orë. Hetimet vazhdojnë”, ka thënë shkurt togeri Radoviq.
