Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar nisjen e një aksioni për pastrimin e një deponie në këtë komunë, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Komunale “Ambienti” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekologjisë.
“Sot, së bashku me drejtorin e NPK ‘Ambienti’, z. Armend Ramadani, kemi nisur aksionin për pastrimin e deponisë, me mbështetjen e Ministrit të Ekologjisë, z. Muhamet Hoxha, i cili ka mundësuar sigurimin e mekanizmit të nevojshëm për realizimin e këtij aksioni”, deklaroi Beqiri.
Ai gjithashtu paralajmëroi masa të ashpra ndaj ndotësve, duke theksuar se institucionet do të jenë të pakompromis në zbatimin e ligjit. “Çdo person që hedh mbeturina në këtë hapësirë do të përballet me përgjegjësi ligjore, ndërsa çdo tentativë për të vënë zjarr do të ndëshkohet sipas ligjit. Zona do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme 24 orë”, theksoi ai.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë për ruajtjen e mjedisit dhe të shmangin ndotjen, në funksion të një ambienti më të pastër dhe më të sigurt për të gjithë.





