Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për Banjskën, por vazhdon të jetojë i lirë në Serbi

Ai që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, sot nuk mban asnjë përgjegjësi dhe jeton i lirë në Serbi.

“Më falni që po ju ndërpres, por në këto momente po dëgjoj breshëri plumbash…”, raportonte më 24 shtator të vitit 2023 gazetarja Ana Marija Ivkoviq.

Një ditë më parë, ajo kishte arritur aq afër sa ishte e mundur pranë fshatit Banjska. Sipas saj, situata i ngjante një lufte të vogël që zhvillohej fare pranë, ndërsa mungonin informacionet e sakta për atë që po ndodhte.

Dhe në fakt, ashtu rezultoi. Një grup i armatosur serbësh nga Kosova bllokoi rrugën e fshatit me kamionë. Kur arriti policia e Kosovës, u qëllua – një polic mbeti i vrarë. Pas sulmit terrorist, një pjesë e grupit u tërhoq në manastirin e Banjskës, i cili më pas u rrethua nga policia.

Pasoi një shkëmbim zjarri që zgjati me orë, brenda dhe jashtë manastirit, ku u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.

“Tronditja u bë edhe më e madhe kur mësuam se kush kishte marrë pjesë”, thotë Ivkoviq, shkruan N1.

Pamjet me dron treguan qartë praninë e Milan Radoiçiqit, atëherë nënkryetar i Lista Serbe. Vetëm pesë ditë pas ngjarjes, ai pranoi përmes avokatëve se kishte organizuar gjithçka dhe dha dorëheqje nga funksionet politike.

Në deklaratën e tij, ai pretendoi se kishte vepruar për të “mbrojtur popullin serb”, pa dijeninë e autoriteteve të Serbisë dhe pa lidhje me aktivitetin e tij politik.

Megjithatë, në Serbi ai nuk ndiqet penalisht për sulmin dhe nuk pritet të ekstradohet, pavarësisht fletarrestimit të lëshuar nga Prishtina.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se ai dhe pjesëmarrësit e tjerë “nuk do të fshihen” dhe se “janë krenarë për atë që kanë bërë”.

Ndërkohë, për pjesëmarrësit, kthimi në Kosovë mbetet i pamundur pa u përballur me burg. Autoritetet kosovare kanë ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, por vetëm tre janë gjykuar fizikisht.

Sipas gazetarëve, pasojat më të mëdha po i ndjejnë qytetarët e zakonshëm. “Në fund, përgjegjësinë e paguajnë njerëzit e thjeshtë, ndërsa ata që ishin realisht përgjegjës nuk përballen me pasoja – përkundrazi, përfitojnë”, vlerësojnë nga portali Alternativa.

Analisti Dragisha Mijaçiq e sheh këtë si dështim të politikës së Vuçiqit ndaj Kosovës. Sipas tij, gjithçka nisi me daljen e serbëve nga institucionet, vijoi me barrikadat dhe bojkotin e zgjedhjeve, dhe kulmoi me ngjarjen në Banjskë.

“Pas Banjskës, roli i Serbisë në këtë çështje pothuajse është zhdukur”, përfundon ai.