Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë në pasditen e së premtes aktgjykimin në rastin Banjska ndaj Bllagoje Spasojeviqit, Vlladimir Tolliqit dhe Dushan Maksimoviqit, të akuzuar për sulmin e armatosur në komunën e Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kosova e ka karakterizuar sulmin si akt terrorizmi dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje – por Beogradi i ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve në Prishtinë.
Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.



