Kryenegociatori iranian: S’mund ta rihapim Ngushticën e Hormuzit, pasi armëpushimi po shkelet

Kryenegociatori i Iranit në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë se “nuk është e mundur të rihapet Ngushtica e Hormuzit duke marrë parasysh të gjitha shkeljet flagrante të armëpushimit”, transmeton “BBC”.

Ai ndër shkeljet ka përmendur bllokadën detare amerikane ndaj Iranit – për të cilën thotë se përbën “marje peng të ekonomisë globale”- dhe “nxitjen e luftës” nga Izraeli “në të gjitha frontet”.

Ai në një postim në “X” ka thënë se e vetmja mënyrë përpara “është t’i njihen të drejtat popullit iranian”.

Ghalibaf ishte paraparë të takohej në Pakistan me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, në fillim të kësaj jave, por ende palët nuk kanë udhëtuar dhe s’ka ndonjë njoftim.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën ka njoftuar se ka zgjatur armëpushimin me Iranin.