Policia e Maqedonisë së Veriut Brenda 24 orëve ka arritur të arreston katër persona në lidhje me dhunën në familje. Këto arrestime vijnë pas 11 denoncimeve në Polici, të cilët premtojnë zbardhje të rastit, transmeton Portalb.mk.
Në Tetovë u arrestua 32 vjeçari V.A. pasi u denoncua nga gruaja se është kërcënuar në tentimin për dëbim nga shtëpia. Po në Tetovë, u arrestua për dhunë në familje edhe 44 vjeçari B.O. nga Tetova, te i cili është konstatuar edhe sasi e alkoolit në gjak.
Për shkak sulmit fizik ndaj vëllait, në Ohër u arrestua 44 vjeçari I.R., ndërsa në Kavadari u arrestua 40 vjeçari i cili e kishte sulmuar bashkëshorten, me të cilën ishte në procedurë shkurorëzimi.
“Në SPB Velesit, një grua 77-vjeçare nga Negotina denoncoi se djali i saj 52-vjeçar, i cili kishte probleme shëndetësore, ishte sjellë në mënyrë agresive dhe i kishte bërë kërcënime, si dhe kishte dëmtuar një send në shtëpi. Ai u dërgua në institucion shëndetësor dhe u njoftua prokurori publik”, raportoi Policia.
Policia raportoi edhe për raste të tjera: ish-bashkëshorti 42 vjeçar M.M. e sulmoi në Pehçevë bashkëshorten dhe vajzën; në Tetovë ishte sulmuar 33 vjeçarja nga bashkëshorti E.C.; një 30 vjeçare ishte sulmuar nga ish-vjehrri në hapësirat e tregut në Strugë; 27 vjeçarja e kishte raportuar ish-bashkëshortin i cili përmes telefonit kishte kërcënuar; 24 vjeçarja e raportoi bashkëshortin 21 vjeçar nga Shuto Orizarja për sulm fizik,
“Më 21.04.2026 në orën 04:00 në SPB Shkup, një grua 28-vjeçare nga Shkupi ka njoftuar se më 17.04.2026 në Dibër, ku po qëndronte me partnerin e saj të tanishëm jashtëmartesor, pasi kishte dalë nga një objekt hotelieri, ishte futur me forcë në një automjet pasagjerësh nga ish-partneri i saj I.V., të cilin e drejtonte një person tjetër, pas çka kanë shkuar në shtëpinë e një të afërmi të I.V. në një fshat të Shkupit. Sipas denoncimit, ajo është mbajtur atje me forcë deri më 20.04.2026, ndërsa ish-partneri i saj ka kryer akt të dhunshëm seksual dhe e keqtrajtuar fizikisht”, raportoi Policia, duke shtuar se viktima pastaj kishte ikur duke e denoncuar rastin në Polici.
Sipas të dhënave nga MPB-ja, në një periudhë prej pesë vitesh janë regjistruar madje 26 vrasje të grave. Në vitin 2021 u regjistruan katër vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin katër gra. Në vitin 2022, u regjistruan dy vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin dy gra. Vitin pasardhës, ky numër është 9, ndër të cilët njëra nga viktimat ishte një vajzë 14 vjeç. Në vitin 2024, u vranë pesë gra, njëra prej të cilave ishte një vajzë dyvjeçare, ndërsa vitin e kaluar u vranë 6 gra.
Kujtojmë se më 2 mars, nëna Ivana, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare Katja u hodh nga një ndërtesë në Karposh rreth orës 14:00 dhe vdiqën në vend. Pas ngjarjes tragjike të 2 marsit, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha në një konferencë për shtyp se gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike midis bashkëshortëve. Sipas ministrit, policia veproi në bazë të çdo raporti, por në të gjitha rastet raportet u tërhoqën nga pala e dëmtuar Ivana, e cila për këtë arsye hoqi dorë nga procedurat e mëtejshme.



