Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj qeverisë aktuale, duke e kritikuar për gjendjen ekonomike, procesin e integrimit europian dhe trajtimin e shqiptarëve në vend. Sipas BDI-së, ekonomia është përkeqësuar, investimet e huaja kanë rënë dhe inflacioni ka ndikuar në rritjen e kostos së jetesës. Partia thotë gjithashtu se vendi ka mbetur i bllokuar në rrugën drejt BE-së.
“Në pak më shumë se një vit, qeveria Mickoski ka shkatërruar ekonominë, sabotuar integrimin europian, sulmuar të drejtat e shqiptarëve dhe ka mbajtur grupimin “vlen” të kapur nëpërmjet detyrimit dhe shfrytëzimit të dobësive kriminale të liderëve të tij. Premtimet për “pagë 1.000 euro” dhe “investime rekord” u shndërruan në një shportë minimale prej 68.797 denarësh në muaj, paga që nuk mbulon as nevojat bazë, dhe rënie 61% të investimeve të huaja direkte 468 milionë euro gjithsej, ndër rezultatet më të dobëta në Ballkan. Inflacioni kumulativ i pesë viteve: 38.6%, pothuaj dyfishi i mesatares rajonale. Tregu e ka gjykuar këtë qeveri me largim kapitali jo me duartrokitje. Rruga europiane e dëshiruar nga 70% e qytetarëve mbetet e bllokuar jo nga veto të jashtme, por nga refuzimi aktiv i kësaj qeverie për të respektuar marrëveshjet e arritura. Shqipëria avancoi. Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina kanë horizonte konkrete. Maqedonia e Veriut qëndron e vetme, pa negociata, pa perspektivë. Me largimin e Hungarisë nga orbita e Moskës, Mickoski dhe Vuçiç kanë mbetur proksi-et e fundit rusë aktivë në rajon dhe kjo reflektohet çdo ditë në retorikën, vendimmarrjen dhe aleancat e Shkupit. Populli shqiptar 30% e popullsisë ka qenë shenjestra e kësaj politike, jo partner i saj. Marrëveshja e Ohrit, gjuha, përfaqësimi institucional: të gjitha vihen në pikëpyetje sistematikisht. Dhe grupimi vlen, i cili supozohet të përfaqësojë shqiptarët në qeveri, nuk ka liri të thotë jo. Liderët e tij mbahen nën kontroll të Kryeministrit Mickoski përmes detyrimit politik dhe shfrytëzimit të ekspozimit kriminal një koalicion i kapur, jo i zgjedhur. BDI kërkon llogaridhënie të menjëhershme. Një qeveri që ka dëmtuar ekonominë, izoluar vendin, sulmuar shqiptarët dhe shërbyer si avangardë e ndikimit rus nuk ka mandat moral për të vazhduar. Qytetarët meritojnë më shumë”, thuhet në reagimin e BDI-së.



