Haradinaj: Beteja e Baballoqit ishte moment kthese për luftën çlirimtare

Në përkujtim të 21 prillit 1998, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar Betejën e Baballoqit si një moment kthesë në historinë e luftës çlirimtare në Kosovë.

Haradinaj theksoi se kjo betejë, përveçse shënoi fillimin e luftës frontale në Rrafshin e Dukagjinit, mobilizoi burra e gra nga e gjithë Kosova që të rreshtohen nën emblemën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke i dhënë luftës një karakter masiv dhe gjithëpopullor.

Ai rikujtoi gjithashtu sakrificën e hershme të luftëtarëve të lirisë, duke përmendur rënien në vitin 1996 të Armend Dacit, student nga Irzniqi i Deçanit, i cili ishte bashkuar me radhët e UÇK-së së bashku me Adrian Krasniqin dhe Edmond Hoxhën, dhe që u vra në një atentat të organizuar në Prishtinë.

Në vijim, Haradinaj përkujtoi edhe rënien heroike të Isa Kastratit në vitin 1999 në Bullaj të Marecit, së bashku me Afrim Vitinë dhe Sokol Sopin, duke theksuar se emri i tij u nderua në vazhdimësi nga “Brigada 172” e Zonës Operative të Karadakut deri në çlirim.

Duke folur për periudhën e luftës, ai theksoi se me afrimin e lirisë, shteti serb intensifikoi terrorin ndaj popullatës civile, duke rikujtuar masakrat e kryera në disa zona të vendit.

“Ne kujtojmë sot motrat dhe vëllezërit tanë që u ekzekutuan 27 vjet më parë në Grashticë të Prishtinës, 60 burra që u ndanë nga familjarët e tyre në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës serbe. Në Nakaradë të Fushë-Kosovës u shua e tëra familja Mirena, me 16 anëtarë të vrarë, ndërsa në Dragaqinë të Suharekës u ekzekutuan 11 pleq të fshatit. Po ashtu, në Sopijë u vranë 8 anëtarë të familjeve Ilazi dhe Sopa,” ka deklaruar Haradinaj.