(Teskt i përditësuar) – Pa rezultate ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ku kanë diskutuar për çështjen e presidentit.
Kreu i LDK-së pas takimit, që ka zgjatur rreth një orë, ka thënë se janë dakorduar që të mos takohen më.
Ai ka theskuar se në takim, për marrëveshje iu është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe 4 ministri, ose posti i kryekuvendarit, por ka shtuar se nuk e kanë pranuar, pasi konsideron që kjo “nuk është ndarje e pushteteve”.
Ai ka thënë se LDK-ja e konsideron të mbyllur për diskutim këtë çështje.
“Do të bëhemi gati për skenarin më të keq, më të rëndë e më të pakuptueshëm të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Nga fillimi parimet kanë qenë të qarta, presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka një president të një partie dhe kështu t’i ketë tri institucionet … U përpoqa, provova, nuk arrita dhe tani i kthehemi LDK-së”, ka theksuar Abdixhiku. “Nuk kemi kërkuar asnjë pozicion për LDK-në e as për mua. Me kaq, në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. LDK-ja e lë të hapur diskutimin me partitë tjera. Nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveç që presidenti të jetë i Vetëvendosjes. LDK-ja e konsideron këtë çështje të mbyllur që nga ky moment”.
Kreu i LDK-së ka thënë se Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet Vetëvendosjes.
“U dakorduam që të mos takohemi më edhe nuk kemi pse të takohemi. Prej këtij momenti e konsideroj të mbyllur këtë çështje … Ne ishim në diskutim për presidentin. Unë nuk mund të propozoj për dikë që insiston që presidenti të mbetet i partisë së tij. Me LDK-në, Vetëvendosja nuk ka diskutuar asnjë emër përveç Konjufcës”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka deklaruar se emri i Vjosa Osmanit nuk është përmendur për presidente, duke shtuar se e ka për qëllim dhe është duke punuar për përafrim me të.
“Përafrimi do të ishte një lajm i mirë për Kosovën dhe LDK-në dhe është qëllim i imi dhe do të punoj për këtë qellim deri në ditën e fundit”, ka thënë Abdixhiku.
Nis takimi Kurti-Abdixhiku
Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku do të diskutohet për çështjen e presidentit.
Takimi po mbahet në ambientet e Kuvendit, derisa të dy nuk janë deklaruar para takimit.
Edhe Kurti, edhe Abdixhiku kanë deklaruar se për mediat do të flasin pas takimit.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti ka deklaruar se shkuarja në zgjedhje nuk është opsion dhe se për zgjedhjen e presidentit duhet vullnet e gatishmëri pa kompromis.
Edhe 8 ditë kanë mbetur deri në afatin e Gjykatës Kushtetuese që të përfundojë procesi i zgjedhjes së presidentit, në të kundërtën shkohet në zgjedhje.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se beson që shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është opsion dhe se për zgjedhjen presidentit duhet vullnet e gatishmëri për kompromis.
Sot takohen Kurti-Abdixhiku, edhe tetë ditë afat për presidentin
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohen sërish sot nga ora 11:00 në ambientet e Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ky takim i paralajmëruar është i pesti me radhë midis tyre në funksion të kësaj çështjeje.
E ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë ftesë të dielën për intensifikim të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e presidentit. Ajo ka theksuar se kjo është javë vendimtare dhe se mirëpret çdo lëvizje të partive drejt kompromisit.
Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë që janë të gatshëm për kompromis, megjithatë pret që në ditët e fundit të afatit kushtetues, palët të jenë më konkrete.
Ndryshe nga LDK-ja, PDK-ja ka kërkuar që Kurti ta zyrtarizojë kërkesën e tij përmes një letre drejtuar kësaj partie për çështjen e presidentit, porse nga akterë të PDK-së është deklaruar se nuk e kanë marrë ende një të tillë.
Kandidati i propozuar për këtë pozitë, Glauk Konjufca, ka thënë se Vetëvendosje do ta përkrahte një kandidat, për të cilin pajtohen së paku dy parti opozitare, pasi vet u shpreh i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke zhvilluar konsultime për një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje sa më shpejt për të siguruar funksionalitet institucional dhe shmangien e krizës politike.
Më 28 prill përfundon afati që Gjykata Kushtetueses e ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Mospërmbyllja e suksesshme e këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.
E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.
Kryeministri Albin Kurti pas takimit më kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ai ka thënë se asnjëra prej ofertave që kanë bërë nuk u është pranuar nga Abdixhiku.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat i ka quajtur të panevojshme.
“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se në shpjegimin që VV-ja nuk duhet t’i ketë tri pozitat e larta institucionale, kanë bërë ofertë që kryekuvendari dhe nënkryetari i Kuvendit të pësojnë një rrokadë.
“Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, dhe në këtë mënyrë di t’a kishim qeverinë dhe nuk do të kishim nevojë për zgjedhje. Ndërkohë LDK-ja do ta kryesonte Kuvendin. Për Konjufcën ne nuk kemi kërkuar votë për, ata le të votojnë si të duan”, është shprehur Kurti.
Kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se as kjo nuk është pranuar, edhe pse sipas tij, ishte një mundësi që të thuhej se tri pozitat e larta shtetërore mbahen nga Vetëvendosja.
“Tash nuk kemi oferta të tjera, ndërkohë që as nuk u kërkua diçka tjetër nga ne. Ju keni dëgjuar Konjufcën që ka thënë se unë tërhiqem nëse ka figurë konsensuale. Ne nuk e kemi pasur me çdo kusht Konjufcën. Ne nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar që të jemi total te tri pozitat e larta të shtetit, por meqë nuk kishte asnjë propozim, ishte detyrë e jona të propozojmë. Ne nuk mund të krijojmë bashkëqeverisje në kundërshtim me vullnetin e popullit. Përveç kësaj, ne jemi të vetmit që kemi sjell emra. Vetëm ne po flasim me emra të përveçëm, të tjerët jo”, ka shtuar Kurti.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka konsideruar që asaj i takon presidenti. “Unë nuk mund të bëhem më LDK se LDK-ja. Nuk ka mundësi të ofroj unë diçka që ata nuk më kanë thënë se e kërkojnë. Ne ua kemi propozuar opozitës dikë që e duan më shumë se mua, Konjufcën. Ai është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë”.
Ai ka folur edhe për diskutimet më PDK-në, duke thënë se i ka dërguar një mesazh kryetarit Bedri Hamza dhe se do të shohin si është e mundur të ecin përpara.
“PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë. Unë i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara, por oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”, ka theksuar Kurti.
Lajmi në përditësim …



