Drenusha është personazhi kryesor i një dokumentari i cili është përgatitur për njëzet vite nga profesori Nysret Pllana. Ishte 7 prilli i vitit 1999 kur Drenusha veç dhimbjeve për humbjen e nënës e vëllaut, po ballafaqohej edhe me dhimbje fizike; nga plagët e shkaktuara nga minahedhësit, atëbotë gjashtë vjeçares iu amputua krahu. E njëjta tani është njezët e shtatë vjeçare, jeton e lumtur bashkë me burrin e fëmijët e saj në Francë.
I ftuar në emisionin Frontal të Televizionit T7, profesori universitar Nysret Pllana ka dhënë detaje për dokumentarin i cili i ka marrë kohë prej njëzet vitesh për ta përgatitur. Në të njëjtin bëhet fjalë për fatin e një prej shumë fëmijëve të cilët gjatë luftës pësuan lëndime.
“Rrëfimi i Drenushës” është një dokumentar që përshkruan për fatin e Drenushës nga Çabiqi e cila në periudhë të luftës kishte qenë gjashtë vjeçare.
Për shkak të disa minahedhësve, nga lëndimet e shkaktuara të njëjtës iu kishte amputuar dora. Veç dhimbjes fizike, e njëjta po ballafaqohej edhe me dhimbjen e humbjes së nënës e vëllaut të vetëm, që i vdiqën gjatë luftës.
Pllana ka siguruar ndër vite xhirime të cilat sipas tij flasin më shumë për historinë e Drenushës.
“E kam përcjellë njëzet vite rresht historinë e saj, për fat kemi pasur xhirime të cilat kanë folur më shumë se fjalët. Jeta e saj është përcjellë edhe pasluftës, kemi shkuar me kamermanin disa herë, kemi xhiruar” ka thënë Pllana.
Pjesë e dokumentarit është Drenusha- e cila tash jeton në Francë, familjarë e doktorë të cilët ishin kujdesur për gjendjen e saj shëndetësore.
27 vjeçarja tashmë është martuar dhe ka fëmijë.
Të gjitha detajet rreth historisë së saj, do të shfaqen në dokumentarin e përgatitur nga profesori universitar Nysret Pllana, i cili shumë shpejt pritet të publikohet.