Udhëtimi i Leutrimit nëpër kohë-roman me vlera edukative dhe didaktike

Bilall MALIQI

(Mexhid Mehmeti” Leutrimi udhëton nëpër kohë I dhe II” (roman për fëmijë), shb. “Lena” Prishtinë, 2026).

Shkrimtari Mexhid Mehmeti u tregua i suksesshëm në të gjitha gjinitë letrare, si për të rritur, po ashtu edhe për fëmijë. Produktiviteti i tij shihet në botime cilësore me përmbajtje interesante dhe me gjetje po ashtu interesante. Kur jemi te krijimtaria e tij për fëmijë, ai ka treguar veten si një krijues që di të zgjedh motive, t’i kapë prurjet interesante, duke joshur kështu jo vetëm fëmijët për t’i lexuar prozat e tij, por edhe të rriturit, prandaj dita-ditës po na befason me tituj të rinj të librave, e pjesë e këtyre titujve është edhe dy vëllimshi (roman për fëmijë) me titull “Leutrimi udhëton nëpër kohë I dhe II”, në të cilat ka kapur tema mjaft interesante, të dashura dhe të kapshme për botën e fëmijëve.

Libri i parë

Thamë më lart se ky libër është dy vëllimsh, me të njëjtin kryepersonazh, Leutrimin, i cili udhëton nëpër kohë dhe nëpër periudha historike, që nga periudha e gurit, duke ecur kështu nëpër kohë deri në epokën e Xhon Kenedisë, duke ofruar ngjarje të ndryshme, nga e ka drejtuar ora magjistare e tij nëpër kohë të ndryshme, kohë këto të sinkronizuara bukur mirë me renditjen e periudhave historike, të cilat japin një segment tjetër të semantikës së romanit, duke e renditur në roman historik për fëmijë, të rrallë në hapësirat tona.
Libri i parë i ka tetëmbëdhjetë kapituj me tregime të shkurtra të cilat japin një dëshirë dhe kureshtje për t’i lexuar dhe secili tregim, secili kapitull e lidh lexuesin e kujdesshëm, sepse ka teamtika interesante, të cilat mbase i kanë mësuar në lëndën e historisë e disa madje edhe nga ky libër i karakterit letrar e historik.
Udhëtimi i Leutrimit nëpër faza historike të paraqitura bukur mirë përmes tregimeve të shkurtra na bën të jemi bashkudhëtar i tij nëpër të gjitha ato ndodhi e ngjarja shumë interesante që kaloi personazhi me personazhet tjera të kohëve që lidhen nëpërmjet tregimeve.
Leutrimi i guximshëm i ka hyrë kësaj aventure të shëtitjes së tij nëpër kohë, takohet me personazhe të ndryshme, nëpër shtete po ashtu të ndryshme, takimi me mbretër e sulltana, me Elizabetën e parë, takimi me Gandin, me Martin Luterkingun, Fidel Kastron etj., mandej në Revolucionin e Tetorit, Kohën e Davinçit, Konstdinopojën e disa vende të tjera të radhitura sipas kalendarit të historisë, japin një pasqyrim interesant, pra, Leutrimi është kurioz t’i kuptojë vlerat e çdo epoke historike.

Libri i dytë

Në pjesën e dytë të romanit, i cili i ka njëzetedy kapituj, Leutrimi vazhdon udhëtimin e tij, por kësaj radhe nëpër epoka të ndryshme historike kombëtare, që nga epoka Pellazgo-ilire, për të vazhduar kështu nëpër kohë me rëndësi historike, njëjtë si në librin e parë, rrugëton nëpër kohë me etapa të radhitura, gjë që jep një pasqyrim të qartë e të saktë historik të të gjitha periudhave të paraqitura në roman, pastaj Udhëtimi në kohën e Pirros dhe Epirit, në epokën e Lekës së Madh, vizitë te Papa Kelmenti i dytë, epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Gjon Buzukut, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, në kohën e Lidhjes së Parë të Prizrenit, te Molla e Kuqe, Koha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Kongresi i Manastirit, Takimi me arbreshët e Italisë, në kohën e Bajo dhe Çerçiz Topullit, Beteja e Karadakut, në Kohën e Ismail Qemalit, nëpër trojet shqiptare gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, Takimin me Arbërshët e Zarës, në Kosovë-Demonstratat, flaka e lirisë dhe lufta për çlirim, Liria dhe pavarësia e Kosovës deri në, udhëtimi në të ardhmen dhe në botën e re.
Me këto udhëtime të radhitura në të dy vëllimet, Leutrimi njihet me shumë personalitete si botërore, po ashtu edhe kombëtare dhe lexuesit po ashtu do të njihen përmes Leutrimit me këto figura dhe me veprimtaritë e tyre historike nëpër kohë, si në aspektin kombëtar dhe në atë botëror.

Rëndësia

Romani i tillë historik për fëmijë, ndërthur udhëtimin nëpër botë me eksplorimin e epokave kombëtare dhe botërore, është një nga mjetet më të fuqishme edukative. Ky zhanër nuk shërben vetëm për argëtim, por luan një rol kyç në formimin intelektual dhe emocional të fëmijës, si: zhvillimi i Empatisë: Kur një fëmijë lexon për bashkëmoshatarët e tij në periudha të ndryshme (p.sh., në Iliri, në Rilindjen Evropiane apo gjatë Luftërave Botërore), ai mëson të kuptojë ndjenjat dhe vështirësitë e tjetrit. Fëmija kupton po ashtu se njerëzit e së kaluarës nuk ishin më pak të zgjuar, por thjesht jetonin me mjete dhe ide të tjera. Ndikon në ndërtimin e Identitetit Kombëtar: Përfshirja e epokave kombëtare ndihmon fëmijën të rrënjoset në kulturën e tij. Rrëfimi i heroizmit dhe kulturës: Duke lexuar për periudhat si ajo e Skënderbeut apo Lidhja e Prizrenit në formë romani, fëmija krijon një krenari të shëndetshme për trashëgiminë e tij.

Mendimi Kritik dhe Analitik

Romanet historike shpesh i vendosin personazhet përpara dilemave morale të vështira. Ata fillojnë të krahasojnë jetën e tyre të sotme (me teknologji dhe të drejta njerëzore) me kufizimet e së kaluarës.
Romani “Leutrimi udhëton nëpër kohë” i shkrimtarit Mexhid Mehmeti, është roman historik, që ndërthur udhëtimin në kohë me (r)evolucionin kombëtar dhe njerëzor, është një thesar edukativ për fëmijët. Ai shërben si një urë lidhëse në mes fantazisë që fëmijët adhurojnë dhe fakteve të rëndësishme që duhet të mësojnë.

Vlera Edukative dhe Didaktike

Mësimi përmes përjetimit: Në vend që të mbajë mend data të thata, fëmija mëson se si jetohej në Kohën e Gurit ose si flisnin Pellazgët përmes syve të personazhit.
Vazhdimësia historike: Duke filluar nga zanafilla (Pellazgët) deri në ditët tona, fëmija krijon një ide të qartë për rrënjët dhe evolucionin e identitetit të tij.
Formimi i Identitetit Kombëtar:Përfshirja e periudhës pellazgjike dhe rrugëtimi drejt kohës sonë ka një rëndësi jetike për lexuesit e vegjël shqiptarë: Ndërgjegjësimi për lashtësinë: Ai rrënjos te fëmija krenarinë e ligjshme për vjetërsinë e popullit të tij në këto troje. Lidhja me paraardhësit: Ndihmon në kuptimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore që ka mbijetuar përgjatë shekujve.
Pra ky roman duhet të lexohet jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga të gjithë lexuesit, e posaqërisht nga kritika letrare e cila duhet t’ja japë vendin e duhur dhe meritor në letërsinë për fëmijë, dhe ky libër, si i tillë e meriton të futet në lekturë të domosdoshme shkollore.

Prill, 2026