Dokumente të falsifikuara për pasaporta bullgare, ndalohet shtetasi i Bullgarisë në Shqipëri

Një 49-vjeçar nga Bullgaria është ndaluar në pikën kufitare të Bllatës, në Dibër, pasi u kap me 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për pajisjen e shtetasve të ndryshëm me pasaporta bullgare.

Sipas hetimeve, dokumentet dyshohet se ishin pjesë e një skeme për krijimin e vërtetimeve të rreme të banimit, të cilat më pas përdoreshin për aplikime për shtetësi të huaj.

Në vijim të rastit, janë arrestuar dhe ish-administratori i njësisë Ostren, Bajram Mata dhe Ndriçim Sula, administrator aktual i kësaj njësie, të cilët dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrës kanë lëshuar dokumente të pavërteta në kundërshtim me ligjin.

Hetimet janë zhvilluar për rreth një muaj dhe kanë çuar në zbardhjen e skemës së dyshuar, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Rasti po hetohet më tej nga organet kompetente.

“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “IDENTITETI”, i ndjekur prej rreth 1 muaji, me metoda speciale hetimi. Tentoi të kalonte kufirin me 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare, vihet në pranga 49-vjeçari nga Bullgaria. Procedohen penalisht për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh administratori aktual dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara se disa shtetas falsifikonin dokumente të gjendjes civile me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare, kanë nisur hetimet proaktive, të ndjekura me metoda speciale hetimi, për rreth 1 muaji, për goditjen e këtij grupi. Si rezultat i hetimeve të kryera, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”, ku, si rezultat, në dalje të PKK Bllatë, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: N. S., 53 vjeç, banues në fshatin Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë; B. M., 62 vjeç, banues në fshatin Lejçan, ish-administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë. Këta dy shtetas gjatë ushtrimit të detyrës dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, me qëllim përfitimin e pasaportave të shtetit bullgar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.