Të dhëna shqetësuese, për një vit Antikorrupsioni ka ndërprerë ose refuzuar shumicën e denoncimeve nga qytetarët

Raporti vjetor i KSHPK-së për vitin 2025 nxjerr në pah një sërë problemesh serioze që lidhen me funksionimin dhe efektivitetin e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit. Ndër elementet më shqetësuese është numri i ulët i rasteve të iniciuara me vetëiniciativë nga vetë KSHPK-ja, që mbetet minimal krahasuar me numrin e madh të raportimeve nga qytetarët. Po ashtu, vërehet një rënie e përgjithshme e numrit të iniciativave krahasuar me vitin paraprak, si dhe një përqindje e konsiderueshme e rasteve që përfundojnë me refuzim ose ndërprerje të procedurave, raporton Portalb.mk.

Në thelb, raporti dëshmon një varësi të madhe të KSHPK-së nga raportimet e jashtme, kryesisht nga qytetarët. Siç theksohet, nga raportimet e qytetarëve janë ngritur 455 iniciativa, ndërsa me vetëiniciativë janë ngritur vetëm shtatë raste. Raste të ngritura nga qytetarët vitin e kaluar ka më pak se në vitin 2024, kur ishin ngritur 496.

Numri më i madh i raportimeve është në nivelin e NJVL (njësitë e vetëqeverisjes lokale) me 78 raste, pasuar nga gjyqësori me 53 dhe fusha të tjera si arsimi dhe administrata publike me dhjetëra raste secila. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe një numër shumë i vogël rastesh të iniciuara nga vetë institucioni (vetë-iniciativa), që janë vetëm disa njësi shtesë. Kjo tregon se shumica dërrmuese e rasteve në KSHPK vijnë si rezultat i raportimeve nga qytetarët ose institucionet, ndërsa iniciativat e brendshme janë minimale.

Për më tepër, fakti që numri i përgjithshëm i rasteve ka rënë nga 499 në vitin 2024 në 462 në vitin 2025, mund të reflektojë ulje të besimit të qytetarëve në institucion ose mungesë motivimi për të raportuar. Nëse qytetarët nuk shohin rezultate konkrete nga raportimet e tyre, është e pritshme që ata të tërhiqen nga ky proces.

Një tjetër aspekt problematik është mënyra e trajtimit të rasteve. Nga 359 vendime të marra, një pjesë e konsiderueshme përfundon me refuzim ose ndërprerje. Raporti thekson se refuzimet lidhen shpesh me “raporte të paqarta dhe të pakuptueshme, pakënaqësi me vendimet gjyqësore apo raste që janë trajtuar më parë”.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Duke vepruar në rastet në fushën e korrupsionit, KSHPK-ja miratoi 359 vendime gjatë vitit 2025. Vendimet për të refuzuar 79 raporte kanë të bëjnë kryesisht me: 

  • raporte të paqarta dhe të pakuptueshme, të paraqitura nga një paraqitës i panjohur, për shkak të të cilave nuk ka mundësi të ofrohen të dhëna shtesë mbi pretendimet në raporte;
  • pakënaqësi të shprehur me veprimet e gjyqtarëve dhe vendimet gjyqësore;
  • pretendime që kanë të bëjnë me persona që nuk janë zyrtarë në përputhje me nenin 8 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit;
  • raporte për të cilat KSHPK-ja ka vepruar më parë dhe ka marrë vendime.

Edhe më shqetësues është numri i madh i rasteve të ndërprera.

“Për 205 raste, KSHPK-ja ka vendosur të ndërpresë procedurat sepse nuk është konfirmuar pretendimi në raport, po zhvillohet një procedurë para një autoriteti tjetër kompetent, ose është konstatuar shkelje e ligjit dhe është filluar një procedurë para Prokurorisë Publike ose para një autoriteti tjetër kompetent”, thuhet në raport.

Një tjetër kufizim i rëndësishëm është mungesa e kompetencës së KSHPK-së për të vlerësuar vendimet gjyqësore.

“Lidhur me raportet që lidhen me procedurat gjyqësore, KSHPK-ja nuk ka autoritetin për të përcaktuar nëse procedurat gjyqësore zhvillohen në përputhje me ligjet materiale dhe procedurale, nëse vendimet e gjykatës dhe të prokurorisë publike merren në bazë të një situate faktike të vërtetuar plotësisht dhe saktë dhe me zbatimin e saktë të ligjit material. Këto raporte, të cilat në thelb janë ankesa, pra përfaqësojnë ankesa dhe pakënaqësi për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, KSHPK ia paraqet për veprim kompetent Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në raport.

Në 75 raste, KSHPK-ja ka vendosur t’i paraqesë raportet, së bashku me të dhënat dhe informacionin e ofruar gjatë procedurave, për veprime të mëtejshme organeve të tjera shtetërore kompetente për shkak të shterimit të mekanizmave për verifikimin e pretendimeve ose sigurimin e provave në dispozicion të KSHPK-së.

Nga ana tjetër, raporti identifikon qartë fushat më problematike: punësimet e paligjshme, emërimet e dyshimta, parregullsitë në urbanizëm dhe prokurimet publike. Këto janë sektorë kyç ku korrupsioni ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik. Megjithatë, identifikimi i problemeve nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me masa konkrete dhe rezultate të prekshme.

“Në procesin e vendosjes për rastet e trajtuara nga KSHPK-ja në vitin 2025, një kontribut të madh dhanë shërbimet inspektuese, të cilat, me kërkesë të KSHPK-së, kryen rregullisht inspektime të jashtëzakonshme brenda juridiksionit të tyre me qëllim verifikimin e pretendimeve në raporte”, thuhet në raport.

Në vija të trasha, raporti i KSHPK-së për vitin 2025 më shumë reflekton kufizimet e institucionit sesa sukseset e tij. Mungesa e iniciativës së brendshme, varësia nga raportimet e qytetarëve, përqindja e lartë e rasteve të mbyllura pa rezultat konkret dhe kufizimet ligjore në veprim janë tregues që kërkojnë reforma të thella. Nëse lufta kundër korrupsionit do të jetë efektive, KSHPK-ja duhet të kalojë nga një rol pasiv në një rol proaktiv, ashtu siç kërkon edhe BE prej vitesh në raportet e progresit.

Besueshmëria e KSHPK-së është goditur rëndë në raportin e progresit për RMV-në të vitit 2025, sidomos pas dorëheqjes së ish-kryetares nën akuza për shkelje serioze, gjë që ka vënë në pikëpyetje integritetin e institucionit. KSHPK vazhdon të funksionojë me mungesë të theksuar burimesh njerëzore dhe financiare, me kapacitet të kufizuar hetimor dhe me vështirësi në verifikimin efektiv të deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.